Skandal në Francë: Trajneri i PSG-së akuzohet se kërkon një skuadër pa lojtarë me ngjyrë dhe myslimanë

Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier po përballet me akuza të rënda për racizëm nga koha e tij në Nice, dhe klubi parizian ka hapur një hetim të brendshëm.

Gazetari i njohur Romain Molina publikoi një email në të cilin ish-drejtori sportiv i Nice-s, Julien Fournier akuzoi Galtier-in se kërkon që asnjë zezak apo mysliman të mos luajë për Nice.

“Galtier më konfirmoi në zyrë atë që më tha djali im (dhe agjenti). Ai më shpjegoi se duhej të merrja parasysh strukturën e qytetit dhe se nuk mund të kishte kaq shumë lojtarë me lëkurë të errët dhe myslimanë. Ai nuk foli me terma sportive, por vetëm në lidhje me fenë dhe ngjyrën e lëkurës”, tha Fournier për RmcSport.

PSG vendosi të hapë një hetim të brendshëm, vetëm tre ditë para ndeshjes vendimtare ndaj Lens, të cilët janë në vendin e dytë në tabelë me vetëm gjashtë pikë më pak se parizienët.
Në një deklaratë nga avokati i tij, Christophe Galtier mohoi me vendosmëri se ai kishte bërë komente diskriminuese gjatë kohës që ishte trajner i Nices dhe nëse akuzat rezultojnë të vërteta, kjo mund të nënkuptojë fundin e një karriere serioze për të.

Kategoritë
Sport