Agjencia e jashtme e inteligjencës izraelite Mossad pretendohet se është përfshirë në një skandal spiunazhi të drejtuar kundër kryeministres italiane dhe zyrtarëve të lartë, raportoi dje Yedioth Ahronoth.
Sipas gazetës, Mossad-i ka bashkëpunuar me një firmë private hetimore nga Milano, e përbërë nga anëtarë të lartë të shërbimeve të sigurisë, të kaluar dhe të tashëm, e cila ka vjedhur të dhënat personale të politikanëve, përfshirë kryeministren Giorgia Meloni, si dhe të figurave të tjera publike, me qëllim të shantazhit.
Gazeta thotë se të paktën katër persona janë arrestuar, ndërsa dhjetëra të tjerë janë nën hetim. Gjithashtu shtohet se ekspertët e sigurisë kibernetike dhe hakerat mund të kenë thyer serverat e Ministrisë së Brendshme italiane.
Mediet italiane e përshkruajnë rastin si “një komplot i nivelit më të lartë” që përfshin anëtarë të mafias dhe zyrtarë të inteligjencës, së bashku me agjenci të huaja inteligjence, përfshirë Mossad-in.
Meloni e quajti skandalin “të papranueshëm” dhe “kërcënim për demokracinë.”
Ministri italian i mbrojtjes Guido Crosetto kërkoi një hetim urgjent parlamentar, i shqetësuar se të dhënat sekrete shtetërore mund të jenë rrezikuar, duke paralajmëruar se informacioni personal i ekspozuar është vetëm maja e ajsbergut.
Gazeta raporton se i dyshuari kryesor në hetim është një ish-zyrtar i lartë i policisë, i cili drejton firmën private të inteligjencës Equalize. Ai akuzohet për ndërhyrjen në serverat e ministrive dhe të policisë nga viti 2019 deri në 2024, për të mbledhur informacion sekret dhe të ndjeshëm që e ka shitur ose ka pasur qëllim ta shesë klientëve të tij.
Sipas raportit të gazetës italiane Corriere della Sera, hetuesit kanë penguar të mërkurën vizitën e dy izraelitëve të paidentifikuar në atë firmë hetimore, të cilët dyshohet se janë agjentë të inteligjencës dhe kanë qenë të interesuar për informacione mbi gazin iranian, të cilat mund të jenë me interes për kompaninë shtetërore italiane të naftës ENI.
Gazeta thotë se vizita është koordinuar nga një zyrtar i lartë policie që ka punuar për shërbimin e inteligjencës italiane, partner i Mossad-it.