Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku – Sadriu, ka thënë se ka takuar deputetin turk, Enis Kervani, ku kanë diskutuar mbi debatin e fundit të krijuar pas një shfaqje të nxënësve në shkollën “Meto Bajraktari”, ku ishin veshur si ushtarë turq, e ku sipas reagimeve që u bënë ata kishin promovuar dhunë.
Drejtoresha thotë se lidhur me rastin i ka kërkuar falje ambasadës turke, dhe se po ashtu ka kërkuar llogari nga menaxhmenti i shkollës, transmeton Telegrafi.
“Sot takova Deputetin e Komunitetit Turk (KDTP) në Kuvendin e Kosovës, Enis Kervan, me të cilin diskutuam për shqetësimin që ka shkaktuar një aktivitet në Shkollën ‘Meto Bajraktari’ gjatë festimit të ‘28 Nëntorit’. Me këtë rast, informova deputetin se janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur motivet e skeçit në fjalë dhe njëkohësisht, kemi kërkuar llogari nga menaxhmenti i shkollës. Është konfirmuar, as shkolla dhe as stafi i saj nuk kanë pasur për qëllim të ofendojnë apo shqetësojnë asnjë komunitet. Për këtë arsyse, shkolla i ka kërkuar zyrtarisht falje edhe Ambasadës Turke në Kosovë”, ka pohuar ajo.
Tutje, ajo ka theksuar se Drejtoria e Arsimit mbetet e përkushtuar që në të gjitha shkollat e kryeqytetit të promovohen vlerat e paqes, respektit dhe tolerancës mes komuniteteve.
“Për të garantuar një qasje më të strukturuar në të ardhmen, kam marrë vendim themelimin e një Komisioni, i cili do të hartojë një Udhëzues të qartë për të përcaktuar kriteret e organizimit të festave në shkolla. Një udhëzues do të ndihmonte shkollat të shmangin çfarëdolloj keqkuptimi në të ardhmen dhe do të siguronte që të gjitha aktivitetet arsimore të zhvillohen në përputhje me frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit ndërkulturor”.