Temperaturat ekstreme nën zero kanë goditur fushat e futbollit në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka nisur sezoni gjatë dy ditëve të fundit dhe lojtarët po hasin vështirësi të mëdha për t’u përshtatur me këto kushte.
Sot në mëngjes patëm mundësinë të shohim një ndeshje ku Lionel Messi vendosi fituesin. Bëhej fjalë për përballjen mes Sporting Kansas City dhe Inter Miami-t, e cila përfundoi me fitoren e mysafirëve me rezultatin 1:0.
Messi u përshtat në mënyrë perfekte me kushtet ekstreme. Sipas mediave amerikane, kjo ishte një nga ndeshjet më të ftohta në histori, pasi u luajt në temperaturën -17 gradë Celsius.
Edhe pse ishte jashtëzakonisht ftohtë, Messi arriti të “ngrohë” atmosferën në stadium me një gol spektakolar. Ai pranoi topin në gjoks, realizoi një driblim të shkëlqyer dhe shënoi me këmbën e tij më të dobët.
Giroud e ndjeu të ftohtin më shumë se Messi
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me një tjetër emër të njohur të futbollit evropian, Olivier Giroud. Ndryshe nga Messi, francezi përjetoi drejtpërdrejt efektet e të ftohtit ekstrem në trupin e tij.
Gjatë ndeshjes mes Colorado Rapids dhe Los Angeles FC, për të cilën ai luan, mjekra e Giroud-it u mbulua nga akulli. Kjo skenë u bë virale dhe ishte një situatë me të cilën Giroud nuk është mësuar në Evropë, por do t’i duhet të përshtatet pasi sapo ka mbërritur në SHBA.
Ndeshja u zhvillua në temperaturën -14 gradë Celsius.
Giroud luajti deri në minutën e 66-të, ndërsa ndeshja përfundoi me fitoren e Colorados me rezultatin 2:1. Fitorja e vendasve nuk ishte e papritur, pasi ata janë më të mësuar me këto kushte ekstreme krahasuar me mysafirët nga Los Angelesi.