Skenari i fshehtë i Serbisë/ Analisti ‘zbulon’ pazaret për ndarjen e Kosovës, ja kush po e ndihmon shtetin serb

22 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, është rikthyer tema e ripushtimit të saj nga Serbia.

E gjithë kjo filloi me tërheqjen e trupave amerikanë nga Afganistani dhe paralajmërimin se një gjë e tillë mund të ndodh edhe me Kosovën.

Mirëpo, shumë analistë e kundërshtuan këtë gjë dhe vlerësuan se vetëm po shkaktohet panik te shqiptarët e Kosovës, pasi një gjë e tillë nuk mund të ndodh.

Analisti politik, Melazim Koci në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për skenarin e mundshëm të rikthimit të Serbisë në Kosovë dhe tërheqjes së trupave amerikan.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë bazë që trupat amerikanë mund të tërhiqen dhe se skenari në Afganistan dallon shumë nga Kosova.

“Pohimet për përsëritjen e skenarit afgan në Kosovë nuk kanë asnjë bazë dhe bëhen nga ata që nuk kanë as njohuritë më elementare të gjeopolitikës.

Amerika në Afganistan ka intervenuar ushtarakisht me qëllimin e eliminimit të Al-Kaides dhe ky synim është jetësuar. SHBA gjithashtu ka synuar aftësimin e forcave afgane që ato t’u kundërvihen talebanëve dhe për këtë qëllim ka shpenzuar deri në 2 trilionë (2 mijë miliardë dollarë). Mjerisht, korrupsioni dhe mungesa e vullnetit të 300 mijë pjesëtarëve të forcave qeveritare për të luftuar ka bërë që Afganistani të kapitulloj për pak ditë”, deklaroi ai.

Në vazhdim Koci përmendi edhe dallimet në mes Kosovës dhe Afganistanit, ku njëra ndër to ishte edhe marrëveshja e Kumanovës dhe të Rambujesë, me të cilën NATO ka marrë obligimin e sigurisë dhe ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës.

Po ashtu, ai tregoi se vetëm në cilin rast mund të tërhiqen trupat e NATO-s nga Kosova.“Rasti i Kosovës është krejtësisht tjetër dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Afganistanin. Pse? Sepse me Marrëveshjen e Kumanovës dhe të Rambujesë NATO ka marrë obligimin e sigurisë dhe ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Kjo ka bërë që UÇK të çmilitarizohet dhe Kosova të mbetet vetëm me FSK. Deri më tash esencialisht asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka asnjë mundësi që ushtarët amerikanë dhe ata të NATO-s të tërhiqen nga Kosova. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, avancimi dhe aftësimi i saj i mëvonshëm ushtarak, mund të ndryshoj gjërat, por kjo do ta bëjë Kosovën edhe më të fuqishme, sepse ajo do të bëhej anëtare e NATO-s, pa nënkuptuar largimin e pranisë ushtarake amerikane”, nënvizoi analisti.

Gjithashtu, Koci ua rikujtoi pesimistëve se SHBA është tërhequr nga Afganistani, por jo edhe nga pjesët tjera të botës. Ai përmendi edhe praninë ushtarake amerikane në Korenë Jugore, ku sipas tij nëse nuk do të ishte Amerika, Koreja Veriore do ta sulmonte atë.

“Pesimistëve që lansojnë rrëfime për largimin eventual të Ushtrisë Amerikane nga Kosova duhet përkujtuar se SHBA është tërhequr nga Afganistani, por jo edhe nga pjesët tjera të botës. Aktualisht SHBA ka rreth 100 deri 150 mijë ushtarë të vendosur në dhjetra vende të botës. Amerika disponon qindra baza ushtarake në botë, nga Gjermania dhe Italia, deri të Japonia, Koreja Jugore, Australia, Katari, Tajvani…David Vine (profesor i antropologjisë politike në Universitetin e Uashingtonit) thotë se SHBA ka rreth 800 baza ushtarake në rreth 70 vende dhe rajone. Kjo prani amerikane në botë ka vetëm një qëllim: ruajtjen e paqes. Pa këtë prani ushtarake amerikane Koreja Veriore do te sulmonte Korenë Jugore, ndërsa Kina do te pushtonte Tajvanin”, theksoi analisti.

Tutje, ai iu rikthye çështjes së ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Ku analisti radhiti tri arsyet se pse një gjë e tillë është pothuajse e pamundur të ndodh.

“Por, t’u kthehemi sërish pohimeve për sulmin eventual të Serbisë ndaj Kosovës. Kjo nuk mund të ndodhë për shumë arsye:

a) Kosova nga 12 qershori i vitit ’99 është pjesë e sferës Euroatlantike dhe çdo sulm ndaj saj do të ishte sulm ndaj NATO-s,

b) Serbia nga të gjitha anët është e rrethuar me vendet anëtare të NATO-s dhe çfarëdo sulmi eventual ndaj Kosovës do ta bënte Beogradin cak legjitim të sulmeve të menjëhershme të Aleancës Veriatlantike,

c) Në periudhën e ardhshme pritet kompletimi i Ushtrisë së Kosovës dhe forcimi i pranisë ushtarake amerikane dhe të NATO-s në Kosovë dhe Shqipëri”, potencoi Koci.

Kurse, duke u bazuar në këtë fakte, ai deklaroi se Serbia i ka kuptuar rrethanat e pafavorshme, prandaj nuk do të tentojë pushtimin e Kosovës, por ndarjen e saj.

“Serbia është e vetëdijshme për këto rrethana shumë të pafavorshme për të dhe synimi i saj do të jetë jo kthimi ushtarak në Kosovë, por ndarja e saj. Këtë synim ( aneksimi i Veriut) nga i cili Beogradi nuk ka hequr dorë, Serbia do të synoi ta realizoj përmes bisedimeve, përkatësisht manipulimit dhe instrumentalizimit të faktorit shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri. Pikërisht në këtë funksion janë nismat Ballkani i Hapur dhe më herët bisedimet e pista për këmbimin e territoreve”, shpjegoi analisti.

Në fund, Koci tha se Kosova nuk rrezikohet nga ndërhyrja ushtarake serbe, por nga lojërat politike të Serbisë.

“Rrjedhimisht, Kosova nuk rrezikohet nga përsëritja e skenarit afgan, nga tërheqja e ushtarëve amerikanë dhe nga ndërhyrja ushtarake serbe, por nga lojërat politike të Serbisë dhe pazaret e saj me bashkëpunëtorët eventual në Kosovë dhe Shqipëri!”, përmbylli Melazim Koci, përcjell “Bota sot”.

Kategoritë
LajmeVendi