Skoci, rrugët mbushen me grumbuj të mbeturinave për shkak të grevës së punëtorëve të pastrimit

Për shkak të vendimit për grevë që është marrë gjatë festivalit të famshëm botëror “Edinburgh Fringe”, në kryeqytet vërehet se kazanët e plehrave në shumë rrugë dhe sheshe janë tejmbushur

Në rrugët e kryeqytetit të Skocisë, Edinburgh, janë formuar grumbuj të mbeturinave për shkak të grevës 12 ditore që kanë filluar punonjësit e pastrimit me kërkesën për pagë më të mirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të vendimit për grevë që është marrë gjatë festivalit të famshëm botëror “Edinburgh Fringe”, në kryeqytet vërehet se kazanët e plehrave në shumë rrugë dhe sheshe janë tejmbushur.

Këshilli i Edinburgh ka paraqitur një propozim të ri për rritje të pagave me 5 për qind pasi sindikatat e punëtorëve GMB dhe Unite refuzuan rritjen e pagave me 2 dhe 3,5 për qind.

Propozimi i fundit për rritje të pagës nuk dihet ende nëse do të pranohet apo jo nga sindikatat të cilat ndodhen në ditën e katërt të grevës.

Greva e filluar nga punonjësit e pastrimit për mbledhjen e plehrave parashikohet që të vazhdojë deri më 30 gusht.

Ka shqetësime për problemet higjienike dhe shëndetësore që mund të ndodhin për shkak të grumbujve të mbeturinave në shumë pjesë të qytetit.

Kryeqyteti krahas vizitorëve vendas dhe të huaj pret edhe shumë artistë për shkak të “Edinburgh Fringe”, i cili konsiderohet si festivali më i madh i artit pamor në botë.

Kategoritë
BotaLajme