Super-ylli i futbollit veshi fanellën e verdhë të skuadrës Al-Nassr dhe doli në fushë, ku u prit me ngrohtësi nga rreth 25 mijë tifozë.
Duke prezantuar transferimin e tyre, Cristiano Ronaldo, skuadra Al-Nassr e Arabisë Saudite organizoi një ceremoni nënshkrimi për super-yllin portugez, raporton Anadolu Agency (AA).
“Tani mund të them se shumë mundësi në Evropë, shumë skuadra në Brazil, Australi, SHBA, madje edhe në Portugali, shumë skuadra u përpoqën të nënshkruajnë me mua, por unë i dhashë fjalën time kësaj skuadre”, tha Ronaldo në stadiumin ‘Mrsool Park’ në Riad.
“Ky nuk është fundi për mua. Liga e Arabisë Saudite është shumë konkurruese. E di që njerëzit nuk e dinë këtë”, shtoi ai.
37-vjeçari tha se pasi ka mposhtur të gjitha rekordet në Evropë dëshiron të thyejë edhe disa rekorde në Arabinë Saudite.
“Kjo kontratë është unike, sepse edhe unë jam një lojtar unik”, u shpreh Ronaldo.
Super-ylli i futbollit veshi fanellën e verdhë të skuadrës Al-Nassr dhe doli në fushë, ku u prit me ngrohtësi nga rreth 25 mijë tifozë. Më pas, para se të takojë shokët e tij të skuadrës në dhomën e zhveshjes, Ronaldo firmosi disa topa futbolli dhe i gjuajti lart në turmë.
“Thjesht dua të them se ndihem shumë i lumtur që jam këtu. Është një sfidë e madhe për mua të ndryshoj nga Evropa në Azi, por e njoh grupin dhe është fantastik”, tha Ronaldo.
Ronaldo, pesë herë fitues i Topit të Artë, u lirua në muajin nëntor pasi ndërpreu lidhjet me Manchester United.
Ronaldo është fitues i Ligës së Kampionëve UEFA pesë herë, respektivisht katër herë me skuadrën Real Madrid dhe një herë me skuadrën Manchester United.
Ai udhëhoqi Portugalinë drejt titullit të UEFA EURO 2016.
Ronaldo në skuadrën Al-Nassr do të mbajë fanellën me numrin 7.