Sllovenia tronditet nga një skandal i rëndë: Sportistes së re i operuan gjurin e gabuar

Opinioni publik slloven është tronditur nga një skandal i rëndë mjekësor, pasi një sportiste e re – ende e mitur – është operuar në gjurin e gabuar në Spitalin e Përgjithshëm të Izolës.

Lajmi i publikuar nga portali Regional Obala është përhapur në të gjithë Slloveninë dhe rajonin, duke shkaktuar indinjatë të madhe.

Gjyri i shëndoshë u operua gabimisht

Operacioni është kryer në muajin mars, dhe për shkak të moshës së sportistes, identiteti i saj nuk është bërë publik. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët kanë operuar gjurin që ishte plotësisht i shëndoshë, ndërsa gjuri i dëmtuar nuk është trajtuar fare.

Spitali ka konfirmuar gabimin, por ka theksuar se të gjitha informacionet shtesë do të publikohen pas përfundimit të një mbikëqyrjeje të specializuar dhe të pavarur.

Ministria e Shëndetësisë reagon

Ministria e Shëndetësisë së Sllovenisë ka njoftuar se rasti është raportuar sipas protokollit, dhe Spitali i Izolës ka iniciuar një auditim të brendshëm profesional.

“Ligji për sigurimin e cilësisë në kujdesin shëndetësor është miratuar me qëllim përmirësimin e protokolleve për njoftim, ndjekje dhe trajtim të rasteve që përfshijnë ngjarje të rrezikshme apo situata të dëmshme, si dhe për forcimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë”, thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.

Skandali ka ngritur pyetje serioze për sigurinë dhe profesionalizmin në institucionet shëndetësore publike, sidomos kur bëhet fjalë për pacientë të mitur dhe sportistë të rinj me karrierë në zhvillim.

Kategoritë
Sport