64 për qind e amerikanëve kundërshtojnë propozimin e presidentit Donald Trump që SHBA “të marrë përsipër” dhe të zhvendosë popullsinë e saj palestineze, thonë të dhënat nga sondazhi i “Data for Progress”
Një sondazh i fundit zbuloi se 64 për qind e amerikanëve kundërshtojnë propozimin e presidentit Donald Trump që SHBA “të marrë përsipër” dhe “zotërojë” Rripin e Gazës dhe ta transformojë atë në atë që ai e përshkroi si “Riviera e Lindjes së Mesme”, raporton Anadolu.
Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve shprehën kundërshtim të fortë, ku 47 për qind thanë se e kundërshtojnë “fuqishëm” planin dhe 17 për qind thonë se “deri diku” e kundërshtojnë atë. Këto të dhëna zbulohen nga sondazhi i kryer nga grupi i ekspertëve të kompanisë së sondazheve “Data for Progress”.
Midis votuesve demokratë, 85 për qind e kundërshtuan idenë, ndërsa 43 për qind e republikanëve ishin kundër saj. Ndërkohë, 46 për qind e të anketuarve republikanë e mbështetën propozimin.
Sondazhi, i cili anketoi 1.200 persona në të gjithë SHBA-në, nënvizoi se një plan i tillë do të përfshinte “zhvendosjen me forcë” të rreth 1,8 milion palestinezëve që aktualisht jetojnë në Gaza.
“Shumica e votuesve janë kundër idesë që SHBA-ja të marrë kontrollin mbi Gazën dhe të zhvendosë popullsinë e saj palestineze”, thuhet në raportin e “Data for Progress”.
Propozimi i Trumpit për të zhvendosur me forcë palestinezët, i cili është refuzuar gjerësisht nga palestinezët dhe bota më e gjerë arabe dhe muslimane, vjen në kohën e një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi që hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur sulmin 15-mujor të Izraelit, që ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz dhe ka lënë enklavën në gërmadha.
Izraeli ka mbajtur një bllokadë në Gaza për vite me radhë, duke e kthyer atë në burgun më të madh të hapur në botë.
Gati 2 milionë nga 2,3 milionë banorët e saj janë zhvendosur me forcë që nga fillimi i luftës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, ndërsa ata përballen me mungesë të madhe ushqimi, uji dhe ilaçesh.