Nga 1 shkurti diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, mori postin si emisar i ri i dialogut Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë, Kaja Kallas. Detyra e tij kryesore do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Sorensen u vu në lëvizje me disa takime informuese e përgatitore, por për të nisur punën mirë do t’i duhet të presë derisa në Kosovë të formohen institucionet e reja dhe po ashtu në Serbi derisa të dihet epilogu i protestave disamujore. Çka bëri deri tani Sorensen?
Sorensen, që u përshkrua si një njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor nga Këshilli Europian, ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të të dyja palëve, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë.
Para shkurtit, ai e mbajti një takim me paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak, për të marrë stafetën dhe informacionet e nevojshme për kalimin e postit.
Para se të linte detyrën, Lajçak kishte bërë një paralajmërim se blloku europian po përgatiste një plan për të dyja palët, i cili do të propozohej nga Kallas e Sorensen, por pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët. Sigurisht, nuk mund të flas për këtë më në detaje tani”, kishte thënë Lajçak.
Deri më tani Sorensen nga zyrtarë të lartë ka takuar krerët kosovarë, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, ndërsa nga Serbia takoi ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe ministren serbe për Integrime Europiane, Tanja Mishçeviq.
Këta i takoi në margjina të Konferencës së Mynihut. Aty edhe dëgjoi tre kërkesat e Kurtit që ia kishte shpallur ish-kryediplomatit Josep Borrell, të cilat ky i kishte quajtur kushte. Kurti ka kërkuar tërheqjen e një letre që Serbia ia kishte dërguar BE’së, dorëzimin e Radojiçiqit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve.
“Mirëprita mundësinë e Konferencës së Sigurisë në Munich për takimet e para me partnerët e mi nga Kosova, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme Donika Gërvalla, si dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë Marko Gjuriq dhe ministren për Integrime Europiane Tanja Mishçeviq. Të gjithë ramë dakord për rëndësinë e diskutimeve të hapura dhe nevojën për përparim”, shkroi Sorensen.
Derisa këto takime ishin më të rëndësishmet për Sorensenin, ai ende s’ka njoftuar ndonjë me zyrtarë amerikanë, të cilët në vitet e kaluara kanë qenë mbështetës të dialogut të lehtësuar nga BE për shkak të rolit kyç që SHBA ka në Kosovë e Serbi.
Me gjithë zhvillimet që po ndodhin në mes të partnerëve BE-SHBA dhe çarjet e tyre në çështjen e Ukrainës ende s’është e qartë nëse Sorensen do të ketë të njëjtin bashkëpunim që pati Lajçak me kolegët e tij amerikanë gjatë Administratës Biden.
“Është e rëndësishme të vendosen kontakte në nivelet e BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja duhet të udhëheqë, për arsye objektive, por të jetë në gjendje të mbështetet në mbështetjen dhe mirëkuptimin. të Amerikës”, ishte një nga porositë e fundit të sllovakut.
Sidoqoftë, Sorensen ka lajmëruar për secilin takim e bisedë që ka zhvilluar në llogarinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në X.
Që në fillim, përkrahje Sorensenit i erdhi nga NATO me zëdhënësen e Aleancës që tha se mezi presin të punojë ngushtë me të.
“Vazhdimi i bashkëpunimit NATO-BE është çelësi për ruajtjen e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha NATO.
Takimin e parë më 1 shkurt, Sorensen e zhvilloi me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, i cili pas takimit tha se është i bindur se përvoja e gjerë diplomatike e danezit do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryediplomatja Kallas, e cila ka treguar interesim personal për dialogun ka paralajmëruar, se gjatë marsit “do të ulet me Sorensen për ta parë se si ta bëjnë funksional dialogun Kosovë-Serbi”.
Në urimin mirëseardhës për emisarin europian nga Danimarka, Kallas kishte thënë se ata i pret një punë e rëndësishme dhe se normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, Sorensen zhvilloi biseda me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Të dy ata e ftuan për vizita në shtetet e tyre.
“Fola ndaras me dy kryenegociatorët, të Kosovës Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq sot. E vlerësova bisedën shumë të mirë dhe i mirëprita ftesat e tyre për të vizituar Kosovën dhe Serbinë së shpejti”, shkroi Sorensen më 6 shkurt.
Pas kësaj bisede, Sorensen takoi kreun e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, i cili e ka njoftuar emisarin e ri për punën e EULEX-it në Kosovën, ndërsa ranë dakord për bashkëpunim të ngushtë.
Pas Barbanos, ai takoi ambasadorin e BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, në Bruksel, për të cilin tha se ia vlerësoi pikëpamjet dhe njohuritë e tij.
“Ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë në vijim”, tha Sorensen.
Një “takim shumë të mirë prezantues” Sorensen e zhvilloi edhe me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO’s për Operacione, Tom Goffus, me të cilin tha se ranë dakord për koordinimin e ngushtë BE-NATO në mbështetje të dialogut.
Pas këtyre takimeve, Sorensen shkoi në dy kryeqendrat europiane, të cilat hartuan planin e ashtuquajtur franko-gjerman që çoi në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Në Paris e Berlin Sorensen i kaloi dy ditë ku tha se pati biseda “shumë të mira dhe përmbajtjesore” se si të çohet dialogu përpara.
“Mirënjohës për mbështetjen e plotë të përpjekjeve të mia”.
Ndërkaq, dje Sorensen takoi ambasadorët e Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Europian.
Ai ndaras takoi ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe më pas ambasadorin e Serbisë në Bruksel Danijel Apostoloviq.
Për të dy, danezi tha se mezi pret të bashkëpunojë “për avancimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Sorensen ka mandat një mandat fillestar prej 13 muajsh.