Sot del para Gjykatës rreshteri policor i dyshuar për keqtrajtimin e të dashurës police

Rreshteri policor në Drejtorinë Rajonale në Pejë, Senad Hamzic i ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka sulmuar brutalisht një zyrtare policore, me të cilën ishte në lidhje dashurie, sot pritet të dalë para Gjykatës.

Për caktimin e masës së paraburgimit, me kërkesë të Prokurorisë, seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë, do të mbahet nga ora 16:20. Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

Hamzic dyshohet se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”. Sinjali raportoi se rasti u zbulua pasi zyrtarja policore kishte kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, si rezultat i rrahjes brutale, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në pjesët e trupit.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda spitalit, zyrtarja policore në fjalë është sulmuar fizikisht me grushte në kokë, shqelma e shuplaka nëpër trup e fytyrë, për çka ka pësuar plagë të rënda, sidomos në regjionin e fytyrës.

Gjithçka dyshohet se nisi në veturën e rreshterit policor Hamzic, ku i njëjti dyshohet se torturoi të dashurën zyrtare policor për motive të xhelozisë. Rrahjen brutale rreshteri e vazhdoi edhe jashtë veturës, duke u ‘siguruar’ që të mos lë gjurmë. Kjo pasi që, siç mëson Sinjali ata vazhduan për në një pompë të derivateve, ku zyrtarja policore ka ndërruar rrobat, të cilat i kishte të gjakosura.

Siç mëson Sinjali, deri më tani hetuesit kanë mbledhur prova të mjaftueshme që provojnë se rreshteri policor duhet të ndalohet për shkak të sulmit mizor ndaj zyrtares policore, raporton “Gazeta Sinjali”.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë të ditur se policja që u sulmua nga rreshteri, në momentin që u pranua për trajtim mjekësor ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Kategoritë
LajmeVendi