SpaceX i Muskut do të ndërtojë sistemin e mbrojtjes raketore të Trumpit

Ndërtimi i një sistemi për mbrojtje nga raketat në SHBA, i kërkuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i besohet një grupi prej tre kompanish, mes të cilave është edhe SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, i cili është gjithashtu bashkëpunëtor i ngushtë i Trumpit.

Sipas agjencisë Reuters, SpaceX ka paraqitur një ofertë së bashku me kompanitë Palantir dhe Anduril, dhe tenderi për të cilin janë paraqitur ka të bëjë me ndërtimin e pjesëve kyçe të projektit “Kupa e Artë”, siç e ka quajtur Trump.

Përveç Muskut, i cili është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit amerikan, edhe pronarët e dy kompanive të tjera kanë qenë mbështetës të Trumpit dhe kanë dhuruar miliona dollarë për fushatën e tij presidenciale.

Përfaqësuesit e këtyre tre kompanive janë takuar në javët e fundit me zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit dhe të Pentagonit për të paraqitur planin e tyre, i cili përfshin ndërtimin dhe lëshimin në orbitë të 400 deri në mbi 1000 satelitëve që do të rrotulloheshin rreth Tokës për të zbuluar raketat dhe për të ndjekur lëvizjet e tyre.

Një flotë e veçantë prej 200 satelitësh sulmues të armatosur me raketa ose lazerë më pas do të shkatërronte raketat armike. Pritet që grupi i SpaceX të mos marrë pjesë në armatosjen e satelitëve.

Reuters gjithashtu raporton se SpaceX ka propozuar një sistem ku qeveria amerikane do të paguante për shërbimet e tyre çdo muaj, në vend që të jetë pronare e sistemit. Disa zyrtarë të Pentagonit kanë shprehur shqetësim lidhur me mbështetjen në një model abonimi për ndonjë pjesë të “Kupës së Artë”. Një marrëveshje e tillë do të ishte e pazakontë për një program mbrojtës kaq të madh dhe jetik.

Gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA, Michael Guetlein, ka udhëhequr diskutimet për atë nëse SpaceX duhet të jetë pronare dhe operatore e pjesës së vet të sistemit. Opsionet e tjera përfshijnë që SHBA të jenë pronare dhe operatore e sistemit, ose që qeveria amerikane të jetë pronare ndërsa operacionet të menaxhohen nga kontraktorët.

Pentagoni ka pranuar interesin e më shumë se 180 kompanive që duan të ndihmojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e “Kupës së Artë”. Zëvendësshefi i Pentagonit, Steve Feinberg, një ish-investitor nga sektori i kapitalit privat, do të jetë vendimmarrësi kryesor për këtë projekt.

Disa ekspertë vlerësojnë se kostoja totale e “Kupës së Artë” mund të arrijë në qindra miliarda dollarë. Pentagoni ka përcaktuar disa afate kohore për dorëzimin e kapaciteteve, duke filluar nga fillimi i vitit 2026 deri te ato që do të dorëzohen pas vitit 2030.

SpaceX ka vlerësuar se projektimi dhe inxhinierimi fillestar i pjesës së saj të “Kupës së Artë” do të kushtonte nga 6 deri në 10 miliardë dollarë.

Kategoritë
BotaLajme