​Spanca përmend në Kuvend pagesat për serbët pa shkuar fare ata në punë

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca ka përmendur edhe para deputetëve pagesat për serbët, pa shkuar fare në punë. Ajo në seancë plenare, derisa ka paraqitur konkluzionet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021, deklaroi se janë kryer pagesa mbi 900 mijë euro për punonjësit e komunitetit serb.

Me 66 vota për janë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me këtë raport.

Para deputetëve, Spanca ka thënë se konkluzionet janë se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare.

“Për raportin vjetor financiar të qeverisë për buxhetin e Kosovës është dhënë opinion i modifikuar, përkatësisht opinion i kualifikuar. Arsyet e modifikimit të opinionit për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyrat financiare ka qenë materiale. Shpenzimet në vlerë prej 13 milionë euro janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq-klasifikuar nëntë milionë e 300 mijë euro, mandej për shkak të vendimeve gjyqësore afër dy milionë euro, ndërsa si të ndikuara nga vet organizatat buxhetore, vlera e keq-klasifikimeve ishte afër dy milionë euro”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo tha se krahasuar me vitin e kaluar, keq-klasifikimi që lidhet me vendime gjyqësore është zvogëluar për katër milionë euro.

Auditorja e përgjithshme ka përmendur edhe pagesat prej mbi 900 mijë euro për punonjësit serbë.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi 900 mijë euro për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit, pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në këtë raport për vitin 2021, po ashtu kemi dhënë konkluzione të pajtueshmërisë të përmbledhur nga auditimi i 90 organizatave buxhetore”, ka shtuar Spanca.

Spanca ka shtuar se vlera e borxhit të përgjithshëm publik ka arritur në mbi 1 miliard euro.

Ajo ka përmendur edhe disa nga konkluzionet që ka nxjerrë Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin e kaluar.

“Zhvillimi i procedurave joadekuate të prokurimit, mungesa e projekteve ekzekutive, përzgjedhja e ofertës së papërgjegjshme, angazhimi i zyrtarëve në marrëveshje për shërbime të veçanta pa udhëhequr procedurat e prokurimit publik, mos verifikimi i 20 për qind të pronave të tatueshme dhe aplikimi i zbritjeve në më shumë se një pronë, dhënia e subvencioneve jo në përputhje me kriteret e përcaktuara si dhe vonesa e arsyeshmërisë së subvencionit- përdorimi i kontratave jo adekuate dhe vonesa në pagesën e faturës.

Kategoritë
LajmeVendi