Spanja dhe Portugalia i thonë jo planit të BE-së për të reduktuar konsumin e energjisë me 15%

Spanja dhe Portugalia i kanë thënë “jo” planit të propozuar ditën e djeshme nga Brukseli, i cili synon të ulë kërkesën europiane për gaz me 15% . Më konkretisht, qeveria portugeze nuk do të mbështesë planin e propozuar dje, të mërkurën, nga Brukseli, i cili synon të ulë me 15% kërkesën europiane për gaz natyror për të kapërcyer problemet me dërgesat e gazit rus.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri përgjegjës për Energjinë.

“Portugalia do ta kundërshtojë këtë masë “disproporcionale”, tha João Galamba, zëvendësministër i mjedisit dhe energjisë, në një intervistë për gazetën Publico të botuar sot.

Ministrja e Energjisë e Spanjës Teresa Ribera gjithashtu tha se nuk do të pranojë propozimin e BE-së. Qeveria do të sugjerojë që qytetarët të përpiqen të kursejnë energji, tha ajo.

Çfarë kërkoi Komisioni Europian?

Komisioni Europian kërkoi ditën e djeshme nga 27 vendet anëtare që të reduktojnë vullnetarisht kërkesën e tyre për gaz gjatë tetë muajve të ardhshëm, duke njoftuar një paketë masash që synojnë të lejojnë BE-në të përballet me një ndërprerje të mundshme të furnizimeve ruse.Ky plan, i cili pritet të diskutohet më 26 korrik në Këshillin Europian, parashikon që çdo vend do të bëjë gjithçka që mundet për të reduktuar me të paktën 15% konsumin e gazit nga gushti 2022 deri në mars 2023 në krahasim me afatin mesatar të pesë viteve të fundit.

Kategoritë
BotaLajme