Spanja “kategorikisht” kundër planit të Trumpit për Gazën

“Toka e palestinezëve të Gazës është Gaza”, tha ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se “refuzojnë kategorikisht” planin e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Gazën dhe për zhvendosjen e palestinezëve në vendet fqinje, transmeton Anadolu.

“Para së gjithash, ne e refuzojmë kategorikisht atë. Askush nuk duhet të bëjë diskutimin se ku duhet të shkojnë palestinezët, veçanërisht banorët e Gazës. Vetë banorët e Gazës e kanë mbyllur këtë diskutim”, tha Albares duke folur për radion shtetërore spanjolle RNE.

“Toka e palestinezëve të Gazës është Gaza”, tha Albares.

“Gaza është pjesë e së ardhmes së Shtetit të Palestinës. Kështu mendon shumica e botës, përfshirë Spanjën dhe rreth 150 vende që njohin shtetin e Palestinës”, shtoi ai.

Albares vuri në dukje se solidariteti i Spanjës me popullin palestinez do të vazhdojë dhe se disa nga fëmijët e sëmurë dhe të plagosur do të sillen në Spanjë, duke shtuar se në politikën e brendshme dhe të jashtme, Spanja merr vendime “si një vend plotësisht sovran dhe nuk ka nevojë që asnjë vend i tretë t’i thotë Spanjës se çfarë të bëjë”.

Albares deklaroi po ashtu se Bashkimi Evropian mbështet “zgjidhjen me dy shtete” mes Izraelit dhe Palestinës.

“Është koha që ata t’i drejtohen Evropës. Nga ne pritet të jemi fener për demokracinë, një mbrojtës i multilateralizmit në OKB dhe ligjit ndërkombëtar humanitar. Të gjitha këto ide kanë lindur në Evropë dhe është koha që ne t’i mbrojmë ato”, tha kryediplomati spanjoll.

Ndryshe, në një konferencë për media me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Washington më herët këtë javë, presidenti amerikan shpalosi një plan për marrjen e kontrollit mbi Gazën dhe zhvendosjen e popullsisë së saj në vende fqinje, përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë.

Kategoritë
BotaLajme