“Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit është lajm i mirë. Por, duhet të shpallet menjëherë një armëpushim edhe në Gaza”, tha kryediplomati spanjoll, Albares
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares deklaroi se marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Izraelit dhe Libanit është “lajm i mirë dhe hapi i parë drejt një armëpushimi të përhershëm” dhe kërkoi që i njëjti hap të ndërmerret edhe në Gaza, transmeton Anadolu.
Albares shpjegoi qëndrimin e deritanishëm dhe të ardhshëm të qeverisë spanjolle ndaj Lindjes së Mesme në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Parlamentit.
Ai dënoi sulmet e dëshmuara këtë javë në Gaza dhe Liban dhe shtoi se situata në rajon ishte “e paqëndrueshme dhe e patolerueshme”. “Marrëveshja e armëpushimit e arritur midis Izraelit dhe Libanit është lajm i mirë. Është hapi i parë që ofrojmë mbështetje për situatën shumë të vështirë në rajon, por duhet të shpallet menjëherë një armëpushim edhe në Gaza. Vetëm diplomacia mund të sjellë paqe”, tha Albares.
Duke argumentuar se qeveria spanjolle “punoi për paqen në Lindjen e Mesme siç nuk ka bërë asnjë vend tjetër dhe ka marrë falënderimet e vendeve të rajonit për këtë”, Albares tha: “Ne nuk mund të fitojmë paqe me shkatërrimin e patolerueshëm në Gaza dhe Liban. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të këmbëngulim dhe të punojmë për një armëpushim të përhershëm, shpërndarje të papenguar të ndihmave për civilët, lirim të pakushtëzuar të pengjeve dhe zgjidhje me dy shtete”.
– Rreth 100 vende janë gati të bashkojnë forcat për një Konferencë Ndërkombëtare të Paqes
Ai i bëri thirrje edhe një herë Izraelit “të respektojë rezolutat e OKB-së, të largohet nga territoret e pushtuara palestineze, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut”.
Ministri spanjoll tha se paqja do të vijë herët a vonë dhe se e vetmja rrugë është zgjidhja me dy shtete. “Aktualisht rreth 100 vende janë gati të bashkojnë forcat në organizimin e një Konference Ndërkombëtare të Paqes për paqen dhe stabilitetin që do të vijë me një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme”, potencoi Albares.
“Zgjidhja me dy shtete është një hap i pakthyeshëm dhe është qëllimi ynë i saktë. Mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme dhe kjo do të vijë. Liria dhe paqja ndërtohen së bashku me të tjerët, jo duke i eliminuar ato”, shtoi ai.
– Spanja nuk i shet armë Izraelit
Albares theksoi se Spanja nuk i ka dhënë asnjë licencë të re për shitjen e armëve Izraelit që nga data 7 tetor 2023. “Duhet të parandalohet dezinformimi. Spanja nuk i shet armë Izraelit dhe nuk lejon që anijet e ngarkuara me armë dhe pajisje ushtarake, destinacioni përfundimtar i të cilave është Izraeli të ndalojnë në portet spanjolle”, tha ai.
– 1.6 milionë euro shtesë për GJNP-në për të mbështetur punën e saj kundër Izraelit
Kryediplomati spanjoll tha se ata mbështesin Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant më 21 nëntor. Albares njoftoi se ata vendosën të japin kontribut shtesë prej 1.6 milionë euro për GJNP-në.
Ai potencoi se me këtë kontribut shtesë, mbështetja që i kanë dhënë GJNP-së që nga viti i kaluar do të arrijë në 8 milionë euro dhe se Spanja është ndër 10 vendet që kontribuojnë më shumë në këtë institucion.
Albares nënvizoi se kanë konfirmuar angazhimin e tyre ndaj Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe se për këtë arsye Spanja do të kontribuojë me 4 milionë euro shtesë.