“Është e qartë se një luftë agresioni nuk mund të shpërblehet. Ne nuk mund të inkurajojmë të tjerët të nisin një luftë”, ka thënë ministri i Jashtëm spanjoll
Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares tha se liderët evropianë do të takohen në Paris për të trajtuar se si të parandalojnë që negociatat e paqes për Ukrainën të shpërblejnë “agresionin” rus, transmeton Anadolu.
“Është e qartë se një luftë agresioni nuk mund të shpërblehet. Ne nuk mund të inkurajojmë të tjerët të nisin një luftë”, tha Albares në një intervistë me radion spanjolle “Onda Cero”.
Samiti, i thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, vjen mes shqetësimeve të shkaktuara nga administrata e re amerikane, duke përfshirë angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump me Rusinë dhe synimin e administratës së tij për të përjashtuar BE-në nga bisedimet e paqes në lidhje me Ukrainën.
Albares theksoi se roli i Evropës në formësimin e rezultatit të konfliktit është kritik, duke vënë në dukje se shumë pyetje mbeten në lidhje me këto negociata.
“Askush nuk po mendon të dërgojë trupa në Ukrainë, sepse paqja është ende shumë larg”, tha ai, duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putin “do të bombardojë përsëri Ukrainën sot dhe nesër”.
“Unë nuk shoh paqe në horizont, megjithëse duhet të shqyrtojmë se si të ndihmojmë për të arritur paqen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Albares.
Komentet e tij vijnë pasi Kremlini konfirmoi se një takim Rusi-SHBA do të zhvillohet në Arabinë Saudite të martën, duke u fokusuar, ndër të tjera, në përgatitjet për negociatat për një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës midis Moskës dhe Kievit.