Spanja planifikon të dërgojë 4 deri 6 tanke “Leopard” në Ukrainë

Numri përfundimtar varet nga gjendja e 53 tankeve që ruhen në bazën ushtarake të Zaragozës, që kanë nevojë për rinovim

Spanja planifikon dërgesën e saj të parë të tankeve në Ukrainë, e cila do të përfshijë nga katër deri në gjashtë tanke “Leopard 2A4” të rinovuar, thanë burimet qeveritare për të përditshmen lokale “El Pais”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri përfundimtar varet nga gjendja e 53 tankeve që ruhen në bazën ushtarake të Zaragozës, të cilët kanë nevojë për rinovim, thuhet në raport. Riparimi sa më i shpejtë i këtyre tankeve po diskutohet midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.

Pas vendimit të shumëpritur të Gjermanisë në fund të janarit për dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë, dhe gjithashtu lejimin që edhe vendet e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë, Madridi gjithashtu iu bashkua vendeve që shprehën gatishmërinë për të furnizuar Kievin me tanke.

Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, javën e kaluar tha se zyrtarët spanjollë do të diskutojnë me aleatët për të përcaktuar se sa tanke i duhen Ukrainës dhe sa mund të dërgojë Spanja.

Spanja ka një nga flotat më të mëdha të tankeve “Leopard”, gjithsej 347. Shumica e tyre janë modeli “Leopard 2E”, i prodhuar në Spanjë, por ka gjithashtu më shumë se 100 “Leopard 2A4” që janë blerë nga Gjermania në 1995.

Megjithatë, disa nga ato tanke u bënë jofunksional pas një përmbytjeje në bazën ushtarake në Zaragoza.

Deri më tani, SHBA-ja ka njoftuar se do të furnizojë Ukrainën me 31 tanke “Abrams”, ndërsa Gjermania tha se do të dërgojë 14 tanke “Leopard 2” dhe autorizoi vendet e tjera për furnizimin e Ukrainës me tanke të prodhimit gjerman nga inventarët e tyre.

Norvegjia, Sllovakia, Britania e Madhe, Franca dhe Polonia gjithashtu njoftuan se do t’i ofrojnë Ukrainës automjete të blinduara.

Kategoritë
BotaLajme