Spanjë, greva e mjekëve dhe rritja e numrit të pacientëve paralizon shërbimet shëndetësore

Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Carolna Darias, u ka bërë thirrje për ndalimin e grevës dhe për dialog sindikatave dhe qeverive të administratave autonome

Greva e mjekëve dhe rritja në numrin e të sëmurëve lidhur me infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, kanë shkaktuar intensitet të madh dhe ndërprerjen e shërbimeve shëndetësore në spitalet e Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Që nga sot kanë ndërprerë sërish punën mjekët e familjes dhe ambulancës të cilët ndërprenë grevën që kishin filluar në kryeqytetin Madrid më 21 nëntor me arsyen se qeveritë e administratës autonome nuk kanë plotësuar kërkesat e tyre për rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të punës dhe punësimin e personelit.

Në mënyrë të ngjashme edhe mjekët në administratat autonome Katalonja, Valencia, Extremadura, Andalusi, Navarra dhe Aragon njoftuan se kanë marrë vendim të hyjnë në grevë brenda muajit janar.

Raportohet se të sëmurët në disa qendra shëndetësore presin nëpër koridore për 3-4 ditë dhe se në shërbimet e urgjencës ka fluks të lartë.

Maria Jesus Escobar, zv.drejtoresha e shërbimit të urgjencës në spitalin San Sebastian de los Reyes Prenses Sofia, në një intervistë për televizionin zyrtar spanjoll TVE deklaroi se “të moshuarit dhe të sëmurët rëndë i vendosim në kolltukë sepse nuk kemi shtretër në numër të mjaftueshëm. Të martën në urgjencë mbërritën 79 të sëmurë. Nga këta, 46 prej tyre kishin nevojë për shtrim dhe ne kishim vetëm 5 mjekë. Disa të sëmurë presin në korridor 3 ditë për të kryer shtrimin”.

Edhe punonjësit e spitalit La Paz në Madrid janë ankuar se në shërbimin me 32 shtretër presin 49 të sëmurë dhe se në dhomën e pranimit me kapacitet 34 persona presin 62 njerëz.

Ndërkohë, njoftohet se prej 72 orësh, 63 të sëmurë janë në pritje në zonën e shërbimit të urgjencës në spitalin universitar Toledo.

Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Carolna Darias, u ka bërë thirrje për dialog sindikatave dhe qeverive të administratave autonome për ndalimin e grevës.

Gjithashtu Darias ka paralajmëruar qytetarët, kryesisht të moshuarit, që të marrin dozën shtesë rikujtuese të vaksinës COVID-19 kundër “Kraken”, nënvariantit të COVID-19 i cili është përhapur me shpejtësi në SHBA dhe i cili është përhapur edhe në vendet e Bashkimit Evropian (BE).

Kategoritë
BotaLajme