Spanjë, kryemashtruesi i kriptove me miliarda euro arrestohet në aeroportin e Barcelonës

Policia tha se platforma mashtroi investitorët me miliarda euro duke fituar 400 euro në minutë

Policia katalonjase njoftoi sot se ka arrestuar kreun e supozuar spanjoll të një mashtrimi ndërkombëtar të kriptove, i akuzuar për vjedhjen e miliarda eurove nga qindra mijëra investitorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Personi në fjalë po udhëtonte me avion nga Rumania për në Barcelonë. Sapo avioni i tij ateroi, policia bëri të ditur se menjëherë kanë hyrë në avion për ta arrestuar.

Ai akuzohet për anëtarësim në një organizatë kriminale dhe mashtrim.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) është duke kryer hetimet ndërkombëtare. Muajin e kaluar, autoritetet koordinuan bastisjet në 15 qendra telefonike në Evropën Lindore, duke arrestuar 5 të dyshuar.

Rrjeti kriminal prezantohej si ndërmjetës, i cili mund të ndihmonte investitorët të fitonin para të shumta me investime të vogla në kripto, sipas Eurojust.

Të dyshuarit mashtronin viktimat duke u shfaqur profesionistë në qendrat e thirrjeve ose duke përdorur “mënyra të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale”. Më pas, sipas Eurojust, ata inkurajuan viktimat të investojnë në platformat e internetit të kontrolluara nga organizata kriminale.

Një nga ato platforma ishte këmbimorja-kripto Everfx, e cila ishte dominante në Spanjë. Në një moment, ajo ishte edhe sponsor zyrtar i klubit të futbollit Sevilla.

Autoritetet dyshojnë se vetëm në Spanjë, viktima të mashtrimit ishin rreth 17 mijë njerëz.

Kriptomonedhat janë kthyer në mjet kryesor të disa prej mashtrimeve më të mëdha financiare kohët e fundit.

Në fillim të kësaj jave, Sam Bankman-Fried u arrestua në Bahamas për një sërë krimesh financiare në lidhje me këmbimoren e tij FTX.

Drejtori i ri i FTX u tha politikanëve amerikanë se rënia e platformës rezultoi në humbjen e më shumë se 7 miliardë dollarëve.

Kategoritë
BotaLajme