Spanjë, normalizohet jeta pas ndërprerjes së energjisë elektrike që zgjati për 15 orë

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë”. Ai tha se shkaku i problemit të ndërprerjes së energjisë elektrike ende është duke u hetuar

Jeta ka filluar të kthehet në normalitet në Spanjë pas një ndërprerjeje të papritur 15-orëshe të energjisë elektrike që filloi dje në mesditë, raporton Anadolu.

Ndërprerja e energjisë elektrike që filloi në orën 12:33 të pasdites së djeshme dhe la të gjithë Gadishullin Iberik pa energji elektrike përfundoi pas rreth 15 orësh. Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike “Red Electrica” njoftoi se që nga ora 07:00 e mëngjesit, 99.95 për qind e nevojave të vendit për energji ishin përmbushur dhe prodhimi ishte 25.794 megavat.

Këshilli i Sigurisë Bërthamore (CSN) njoftoi se i është dhënë fund “Planit të Emergjencës” i cili automatikisht i çaktivizon reaktorët për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe se reaktorët janë rikthyer në funksionim në kushte të sigurta.

Në vend filluan të normalizohen edhe shërbimet e transportit dhe telekomunikacionit të cilat u ndërprenë dje për shkak të ndërprerjes bashkë me zbardhjen e ditës.

Në kryeqytetin Madrid ku shërbimet periferike filluan me 50 për qind të kapacitetit, zyrtarët e administratës vendore njoftuan se i gjithë transporti publik do të jetë falas gjatë ditës. Shërbimet hekurudhore të cilat u anuluan dje në të gjithë vendin, rifilluan gradualisht duke filluar nga orët e mëngjesit.

Ministri i Transportit, Oscar Puente u kërkoi qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe njoftoi se shërbimet e trenave ende nuk kanë filluar në disa vende për shkak të problemeve teknike që lidhen me sinjalistikën. Për shkak të kaosit të shkaktuar nga ndërprerja e energjisë elektrike, sot në pjesën më të madhe të vendit u pezullua mësimi.

Qeveria e koalicionit të pakicës do të mbajë takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën kryesinë e Mbretit Felipe VI për të parandaluar që ky problem të ndodhë përsëri.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë”. Ai tha se shkaku i problemit të ndërprerjes së energjisë elektrike ende është duke u hetuar dhe se të gjitha mundësitë po shqyrtohen.

Ndërsa për Portugalinë e cila u prek nga ndërprerja në Spanjë thuhet se shërbimi i energjisë elektrike është rikthyer plotësisht në normalitet dhe të gjitha qendrat e transformatorëve janë rikthyer në funksion.

Kategoritë
BotaLajme