Rajoni bask i Spanjës, i njohur për qëndrimin e tij tradicionalisht pro-palestinez, organizoi edhe një herë demonstrata kundër ekipit të basketbollit të Izraelit, Maccabi Tel Aviv.
Një turmë e madhe protestoi kundër Izraelit para dhe gjatë ndeshjes së basketbollit Baskonia-Maccabi Tel Aviv të mbajtur në Vitoria të Spanjës, ndeshje e zhvilluar në kuadër të Turkish Airlines EuroLeague.
Rajoni bask i Spanjës, i njohur për qëndrimin e tij tradicionalisht pro-palestinez, organizoi edhe një herë demonstrata kundër ekipit të basketbollit të Izraelit, Maccabi Tel Aviv, duke e bërë këtë njërën nga ndeshjet më të vështira si mysafir. Protestat u zhvilluan brenda dhe jashtë sallës së sportit.
Pavarësisht reshjeve të mëdha, mijëra baskë mbushën rrugët e Vitoria-s në përgjigje të thirrjeve nga organizatat e shoqërisë civile. Protestuesit marshuan kundër Izraelit, duke akuzuar Maccabi Tel Aviv-in se është përdorur për të “zbardhur gjenocidin në Palestinë”.
Demonstruesit brohorisnin slogane të tilla si “Bojkoto Izraelin”, “Izrael vrasës”, “Palestina e lirë” dhe “Rroftë lufta për lirinë e Palestinës”.
Në një manifest të lexuar në fund të marshimit thuhej: “Ne besojmë se vlerat qëndrojnë mbi sportet, siç është solidariteti me popujt e shtypur. Ndeshjet kundër Maccabit synojnë ta bëjnë të padukshëm gjenocidin në Palestinë. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se ato nuk duhen luajtur”.
Ndërkohë, në përgjigje të një thirrjeje nga grupi i shoqërisë civile “Palestinarekin Elkartasuna Platform”, shumë tifozë të Baskonias lanë tribunat bosh gjatë çerekut të parë të lojës për të protestuar kundër Izraelit, për të hyrë më vonë në arenë për të mbështetur ekipin e tyre.
Për shkak të protestës kundër Izraelit, policia zbatoi masa të gjera sigurie, madje edhe dyert e hyrjes së sallës sportive u ndryshuan nga struktura e tyre e zakonshme.
Maccabi Tel Aviv është përballur me protesta para ndeshjeve të tij në Madrid dhe Barcelonë gjatë dy viteve të fundit, si dhe në qytete të tjera evropiane. Demonstratat kanë kërkuar që Izraeli të ndalohet nga të gjitha garat sportive.