Spanjë, reshjet e dendura goditën edhe rajonin e Katalonjës

Reshjet që filluan mbrëmë dhe vazhduan sot deri në orët e mesditës në Barcelona, Girona dhe Tarragona, kanë paralizuar veçanërisht transportin publik

Reshjet e dendura të cilat kanë përfshirë Spanjën javën e fundit, këtë herë kanë goditur edhe rajonin verilindor të vendit Katalonjën, transmeton Anadolu.

Reshjet që filluan mbrëmë dhe vazhduan sot deri në orët e mesditës në Barcelona, Girona dhe Tarragona, kanë paralizuar veçanërisht transportin publik.

Drejtoria Spanjolle e Operacioneve të Aeroporteve, AENA, njoftoi se në Aeroportin Ndërkombëtar të Barcelonës në një metër katror kanë rënë 81 litra reshje, ndërsa shumë pjesë të aeroportit dhe zona e parkimit janë përmbytur.

Zyrtarët njoftuan se të paktën 50 fluturime janë anuluar për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet ndërsa 17 avionë janë orientuar në aeroporte të tjera.

Ndërkaq, për të parandaluar një aksident të mundshëm, kompania hekurudhore “Renfe” tha se të gjitha shërbimet periferike në Katalonjë janë pezulluar përkohësisht.

Autoritetet e administratës autonome të Katalonjës njoftuan se kanë pezulluar disa nga linjat e metros në Barcelonë, duke e paralajmëruar popullatën të jetë më e vëmendshme.

Gjithashtu është vërejtur se disa rrugë janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, si dhe janë krijuar radhë kilometrash në hyrje dhe dalje të autostradave.

Edhe linja e trenit të shpejtë në relacionin Barcelonë-Tarragona është ndaluar.

Zyrtarët e meteorologjisë parashikuan se reshjet e dendura të shiut do të ndalen pasdite në rajon.

Të paktën 217 persona humbën jetën në vende të ndryshme, përfshirë Valencian pasi rajonet lindore dhe jugore të Spanjës më 29 tetor u goditën nga reshje të dendura të shiut.

Kategoritë
BotaLajme