Spanjë, zjarret pyjore prekin një sipërfaqe 2.500 hektarësh, evakuohen qindra njerëz

Zjarri, i cili ende nuk është vendosur nën kontroll, ka kërcënuar tre vendbanime dhe me qëllimin e masës paraprake janë evakuuar nga shtëpitë e tyre mbi 700 persona

Mbi 700 persona janë evakuuar si pasojë e zjarreve pyjore të cilët vazhdojnë prej dy ditësh në zonat malore Las Hurdes dhe Sierra de Gata në veri të qytetit Caceres në perëndim të Spanjës, transmeton Anadolu.

Në informacionet e dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme e Spanjës theksohet se zjarri pyjor ka prekur një sipërfaqe 2.500 hektarësh.

Zjarri, i cili ende nuk është vendosur nën kontroll, ka kërcënuar tre vendbanime dhe me qëllimin e masës paraprake janë evakuuar nga shtëpitë e tyre mbi 700 persona. Disa prej tyre janë vendosur në sallat sportive në rajonin Moraleja në Caceres, ndërsa disa të tjerë janë pritur nga të afërmit e tyre.

Nga ana tjetër, në punimet për shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë rreth 500 persona, përfshirë 165 ushtarë dhe 265 zjarrfikës, ndërsa nga ajri kanë dhënë mbështetje 14 avionë dhe helikopterë.

Për shkak të zjarrit që është përhapur me efektin e motit të nxehtë dhe të erës, është dhënë alarm për rrezik në nivelin e dytë dhe gjithashtu njoftohet se janë mbyllur për trafikun disa rrugë.

Spanja në vitin 2022 kaloi një prej viteve më të këqija të historisë në zjarret e pyjeve dhe si pasojë u dogjën gjithsej një sipërfaqe mbi 310 mijë hektarë.

Ndërsa edhe këtë vit nga zjarret pyjore që kanë filluar herët, që nga muaji mars e deri më tani janë djegur më shumë se 40 mijë hektarë.

Kategoritë
BotaLajme