“Spitali Rajonal Memorial në Fier u ndërtua falë bujarisë së presidentit Erdoğan”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh gjatë fjalës së saj se njëvjetori i hapjes së spitalit duhet të konsiderohet si një vit i provës së fortë të miqësisë mes dy vendeve.

Gjatë një ceremonie me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri është shënuar njëvjetori i hapjes së Spitalit Rajonal Memorial në Fier, i cili u ndërtua me financimin e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh gjatë fjalës së saj se njëvjetori i hapjes së spitalit duhet të konsiderohet si një vit i provës së fortë të miqësisë mes dy vendeve.

“Një spital i ndërtuar falë bujarisë së presidentit Erdoğan dhe qeverisë turke bazuar në kërkesën për të ndërtuar një pol të ri të kujdesit shëndetësor modern, bërë nga kryeministri Rama, që do të shënonte në fakt edhe një kulm të ri të marrëdhënieve tona dhe një kulm të ri jo vetëm sa i përket infrastrukturës spitalore, por edhe sa i përket transferimit të dijës dhe teknologjisë. Është e vërtetë se u ndërtua në një kohë rekord. Ne jemi krenar që me të vërtet kemi krijuar bazën për një qendër ekselence për rajonin e jugut, për t’u shërbyer më shumë se 500 mijë qytetarëve të qarqeve të jugut”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu shtoi se janë më shumë se 73 mijë shërbime të ofruara në 17 repartet të cila tashmë janë funksionale në Spitalin Rajonal Memorial në Fier.

– “Kjo është një histori suksesi dhe një histori bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve që janë mike”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se në një kohë shumë të shkurtër, brenda 68 ditëve u bë i mundur ndërtimi i këtij spitali, në një kohë rekord.

“Jemi dhe vetë të gjithë të vetëdijshëm që janë kryer dhe ndërhyrje shumë të rëndësishme në këtë spital dhe i është dhënë një shërbim me cilësi maksimale të gjithë popullit të zonës së Fierit, por gjithashtu dhe për komplet jugun. Kjo është një histori suksesi dhe një histori bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve që janë mike, ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë”, u shpreh ambasadori turk.

Ai shtoi se mjekët turq që kanë ardhur këtu do të ndajnë me Shqipërinë të gjitha eksperiencat e tyre në fushën e mjekësisë, sipas tij, duke qenë se edhe Turqia ka ecur goxha në këtë fushë. “E kemi shumë të rëndësishme që të vazhdojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe të krijojmë një harmoni ndërmjet sistemit shëndetësor të Turqisë dhe sistemit shëndetësor të Shqipërisë dhe që ky bashkëpunim të vazhdojë akoma më tej”, tha Yörük.

“Dua të falënderoj presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin Edi Rama të cilët në bazë të diplomacisë së tyre bënë të mundur ndërtimin e një strukture të tillë. Jam i sigurt që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe për shumë vite me radhë ndërmjet dy vendeve mike dhe ky spital do vazhdojë akoma të japë shërbimin e duhur shëndetësor për të gjithë pacientët e zonës së Fierit dhe gjithë jugut të Shqipërisë”, tha Yörük.

Drejtoresha e përgjithshme këtij spitali, Rudina Degjoni dhe nëndrejtori turk i spitalit, Mehmet Emin Bindal folën rreth shërbimeve dhe aktiviteteve të spitalit.

Spitali Rajonal Memorial në Fier u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes dy vendeve, spitali do të menaxhohet për një përudhë 3-vjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare. Aktualisht pjesë e tij janë në total 268 punonjës, nga të cilët 44 staf turk.

Spitali ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë, gastroenterelogjisë, anestezisë, radiologjisë dhe shërbime të tjera.

Kategoritë
LajmeRajoni