Spiunazh, mashtrime, falsifikime dhe kërcënime, PSG në prag të një skandali të madh

PSG udhëton nesër në transfertën e Ajaccio pas Ramos e Neymar të skualifikuar por problemet për trajnerin Galtier i kalojnë ato sportive dhe nuk kanë të bëjnë me fushën e lojës. Klubi i sheikut Al Khelaifi është i rrethuar nga skandalet dhe polemikat që përfshijë edhe drejtuesit e lartë në një intrigë ku bëjnë pjesë edhe shërbimet sekrete franceze dhe ato katariote.

Kërcënime, tentativa zhvatjeje, vjedhje dhe akuza për tortura, te PSG duket se po zhvillohet një luftë e nëndheshme që nëse del në sipërfaqe mund të shkatërrojë përfundimisht klubin. Gazeta “L’Equipe” nuk e fsheh më ndërsa policia ka nisur hetimin e një çështjeje që përfshin madje edhe presidentin Al Khelaifi në qëndër të një lufte të ashpër.

Presidenti është akuzuar nga Tayeb Banabderrahmane, biznesmen që ka vepruar në Katar me një komitet për të drejtat humane. Në 2020 u arrestua në Doha me akuzën e mashtrimit dhe spiunimit ndërsa pas mbërritjes në Francë ai akuzon katariotët për torturë duke përfshirë në këtë mes edhe Al Khelaifin.

Gjithsesi, në shtator Banabderrahmane është arrestuar për korrupsion dhe falsifikim dokumentash ndërsa mediat bëjnë me dije se ai ka spiunuar Al Khelaifi me kërkesë të rivalit të tij.

I hetuar është edhe Hicham Karmoussi, i cili dyshohet se ka punuar për Al Khelaifi dhe mendohet se ka informacione rreth aksioneve të ndërmarra nga presidenti rreth disa lojtarëve të skuadrës së tij përfshirë edhe Kylian Mbappe, pasi mendohet se ka financuar për ta sulmuar atë nga rrjetet sociale. Ky fakt ka bërë që sulmuesi të mendojë seriozisht largimin nga PSG edhe pse ka një kontratë që e lidh deri në vitin 2024.

Kategoritë
Sport