Srebrenicë, përgatitje për funeralin kolektiv të viktimave të gjenocidit më 11 korrik

Këtë vit, 50 viktima të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 do të varrosen në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari.

Në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari, sot filloi gërmimi i varreve, ku do të varrosen mbetjet mortore të 50 viktimave të sapoidentifikuara të gjenocidit në Srebrenicë, të cilët do të varrosen në një funeral kolektiv më 11 korrik të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Kenan Karavdiq, ndihmësdrejtor i ndërmarrjes publike “Varrezat e Qytetit” Visoko, ishte sot në varrezat e Qendrës Memoriale ku filloi gërmimi i varreve për viktimat e gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës, Bosnjë e Hercegovinë.

“Që nga viti 2003 kjo ndërmarrje publike është përfshirë në organizimin e varrimeve për viktimat e gjenocidit. Sot kemi filluar hapjen e varreve. Në varrezat e Qendrës Memoriale ekzistojnë rezervime për të zhdukurit. Po mundohemi të përmbushim nevojat e familjeve që nëse një vëlla, baba ende nuk është gjetur të lëmë vend. Këtë vit do të jenë 50 varre”, tha Karavdiq.

Këtë vit u ndryshua data e nisjes së arkivoleve me eshtrat e viktimave nga Visoko.

“Këshilli organizativ vendosi që këtë vit të jetë më 8 korrik”, shtoi Karavdiq.

Këtë vit, 50 viktima të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 do të varrosen në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës – Potoçari.

Viktima më e vjetër eshtrat e të cilit do të varrosen këtë vit në varrezat e Qendrës Memoriale në Potoçari është Husejin Krdzhiq, i lindur në vitin 1936.

Ndër viktimat që do të varrosen këtë vit janë edhe tre të mitur.

Bëhet fjalë për djem që ishin vetëm 16 dhe 17-vjeç kur u vranë. Do të varrosen edhe binjakët Samir dhe Semir Hasanoviq, të cilët në momentin e vdekjes ishin vetëm 20-vjeç. Eshtrat e tyre u gjetën në varreza të ndryshme masive. Babë e bir – Hajdin dhe Sead Hukiq do të gjejnë paqen e tyre përfundimtare. Ky është djali i tretë i Hajdinit që ishte zhdukur. Dy djem janë varrosur më herët ndërsa njëri është ende në kërkim.

Në projektin e identifikimit të Podrinjës gjenden eshtrat e 31 viktimave të tjera të cilët janë identifikuar zyrtarisht me metodën e ADN-së dhe nga familjarët e tyre, por ende nuk ka pëlqim për varrimin e këtyre viktimave.

Po ashtu, 61 viktima të tjera janë identifikuar nëpërmjet ADN-së, por familjet nuk kanë vazhduar me identifikimin zyrtar.

Kategoritë
LajmeRajoni