Starbucks rihapet në Rusi me emrin e ribrenduar Stars Coffee

Pronarët e rinj planifikojnë të hapin 130 kafene deri në fund të shtatorit.

Kafeneja e parë e zinxhirit Starbucks u rihap të enjten me emrin e ri Stars Coffee në qendër të kryeqytetit rus Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas pronarit të ri të zinxhirit, Timur Yunusov, javën e ardhshme do të rihapen dhjetë kafene të tjera, kurse në gjithë vendin gjithsej 130 deri në fund të shtatorit.

Shumica e kafeneve, 90 nga 130, do të ofrojnë shërbim në Moskë, rreth 15 prej tyre në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg, dhe pjesa tjetër në rajone të tjera – Krasnodar, Yekaterinburg, Samara, Kazan dhe Soçi.

Në fund të korrikut, biznesmenët rusë Timur Yunusov dhe Anton Pinsky blenë zinxhirin rus të Starbucks-it, pasi pronarët amerikanë njoftuan vendimin e tyre për t’u larguar nga tregu për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.

Kafeneja e parë Starbucks u hap në Rusi në vitin 2007, ndërsa deri në vitin 2022, mbi 100 kafene ishin hapur në gjithë vendin.

Kategoritë
BotaLajme