Stoltenberg: Bakhmut së shpejti mund të bie në duart e rusëve

“Kjo situatë nuk do të jetë pikë kthese e luftës. Kjo na tregon se nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha kreu i NATO-s, Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se qyteti ukrainas Bakhmut, ku po luftojnë forcat ruse dhe ukrainase, së shpejti mund të bie në duart e rusëve, raporton Anadolu.

Stoltenberg mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Suedi. Ai në një deklaratë për gazetarët para takimit tha se javët e fundit ka patur përleshje intensive në dhe rreth Bakhmut-it dhe se Rusia ka dislokuar më shumë ushtarë në këtë zonë.

Kreu i NATO-s theksoi se forcat ruse kanë pësuar humbje të konsiderueshme.

“Njëkohësisht, nuk mund të injorojmë se qyteti Bakhmut mund të bie në ditët në vijim. Duhet theksuar se kjo situatë nuk do të jetë një pikë kthese e luftës. Kjo na tregon se nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha Stoltenberg.

Ai tha se aleatët e NATO-s vitin e kaluar i kanë dhënë Ukrainës 150 miliardë euro mbështetje ushtarake, financiare dhe ekonomike, nga të cilat 65 miliardë euro ishin mbështetje ushtarake.

Kategoritë
BotaLajme