Stoltenberg bisedë telefonike me Kurtin: Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë

“Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me Kurtin rreth tensioneve të fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it.

“Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi ai.

Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës filluan pas vendimit të Prishtinës për reciprocitet, që në vend të dokumenteve të identifikimit dhe targave të lëshuara në Serbi, të lëshojë dokumente hyrëse-dalëse tre mujore për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë ndërsa targat serbe me qytetet kosovare të zëvendësojë me targat e Kosovës – RKS.

Serbët në veri të Kosovës më 31 korrik bllokuan rrugët drejt vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, para hyrjes në fuqi të vendimit për targat dhe dokumentet nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje në një deklaratë tha se kur të hiqen të gjitha barrikadat në veri të vendit, do të vlejë shtyrja e zbatimeve qeveritare në lidhje me dokumentet e hyrje-daljes.

Pas heqjes së barrikadave në rrugë dhe negociatave me partnerët e huaj, Qeveria e Kosovës të hënën vendosi ta shtyjë zbatimin e masave deri më 1 shtator. Pas heqjes së barrikadave janë rihapur pikat kufitare në veri të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi