Stoltenberg paralajmëron: Ajo që ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azinë Lindore

“Kina po ndjek nga afër atë që po ndodhë, për të parë nëse Rusia do të paguajë koston apo do të marrë shpërblimin”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pasojat e mundshme të luftës në Ukrainë ndiqen nga afër edhe nga Kina, se ato që ndodhin sot në Evropë mund të ndodhin nesër në Azinë Lindore dhe se Perëndimi nuk duhet të jetë shumë i varur nga Kina, raporton Anadolu.

Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg tha se lufta që filloi në Evropë me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar në afat të gjatë mjedisin e sigurisë dhe se Kina po ndjek nga afër atë që po ndodhë, për të parë nëse “Rusia do të paguajë koston apo do të marrë shpërblimin”.

“Ajo që ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azinë Lindore”, tha Stoltenberg i cili shtoi se falë luftës në Ukrainë kanë parë se tashmë siguria nuk është rajonale, por është globale.

“Me këtë luftë kemi kuptuar rrezikun që paraqet varësia ekstreme nga regjimet autoritare dhe se importimi i gazit rus nuk është çështje ekonomike por çështje politike”, tha Stoltenberg duke shtuar se:

“Varësia e Evropës për energjinë ruse na bëri të brishtë. Për këtë arsye nuk duhet të bëjmë sërish të njëjtin gabim me Kinën ose regjimet e tjera autoritare. Nuk duhet të jemi shumë të varur nga produktet dhe lëndët e para që importojmë, duhet distancim nga shitja e teknologjive me rëndësi kyçe të cilat mund të përdoren kundër nesh dhe duhet të mbrojmë infrastrukturat tona kritike. Sigurisht që duhet të vazhdojmë marrëdhënien tonë ekonomike dhe tregtare me Kinën. Por, interesat tona ekonomike nuk duhet të kalojnë para interesave tona të sigurisë”.

Kreu i NATO-s tha se një mësim me vlerë që kanë nxjerrë nga lufta në Ukrainë është se Amerika e Veriut dhe Evropa duhet të qëndrojnë patjetër bashkë.

“Pa NATO-n nuk ka siguri në Evropë. Tani nuk është koha për të parë përtej aleancës, por për të forcuar dhe zgjeruar aleancën tonë”, potencoi Stoltenberg i cili shtoi se aleanca transatlantike ka rëndësi më shumë se kurrë.

Kategoritë
BotaLajme