Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: NATO e gatshme të ndërhyjë për të ruajtur stabilitetin

Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në selinë e NATO-s, Stoltenberg bëri thirrje për zbutje të tensioneve të cilat u rritën në muajt e fundit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës të ulin tensionet dhe deklaroi se NATO është e gatshme të ndërhyjë për të ruajtur stabilitetin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në selinë e NATO-s, Stoltenberg bëri thirrje për zbutje të tensioneve të cilat u rritën në muajt e fundit.

Stoltenberg vuri në dukje se situata në terren është përmirësuar ditët e fundit dhe se Beogradi dhe Prishtina kanë përgjegjësi për të parandaluar përshkallëzimin.

“NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it është i fokusuar në mandatin e dhënë nga OKB-ja. Nëse kërcënohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë. KFOR-i do të marrë masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për popullin e Kosovës”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe tha se mbështesin procesin e dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe se palët duhet të jenë konstruktive në këtë proces.

Presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohen nesër në Bruksel, të shoqëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në kuadër të procesit të dialogut.

“Duam të shmangim çdo mundësi konflikti”

Nga ana tjetër, Vuçiq deklaroi se pret që takimi i nesërm të jetë i vështirë dhe se ka mosmarrëveshje me Kosovën pothuajse për të gjitha çështjet.

“Duam të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi apo të ndonjë konflikti”, tha Vuçiq, duke shtuar se respektojnë rolin e NATO-s në Kosovë dhe se duan të rrisin bashkëpunimin me NATO-n.

Vuçiq tha se paqja dhe stabiliteti janë jetike për Serbinë dhe se vendi i tij po vepron me përgjegjësi.

“Unë e di se Ballkani ka lodhur të gjithë në Bruksel apo në botë. Të gjithë janë të lodhur duke dëgjuar ankimet tona”, tha Vuçiq, i cili pohoi se sulmet ndaj serbëve janë shtuar dhe se akuzat ndaj Serbisë për shkelje të kufirit nuk janë të vërteta.

Kategoritë
LajmeVendi