Stoltenberg për dialogun Kosovë-Serbi: Tani kemi një mundësi historike që mund të jetë me përfitim për gjithë rajonin

“Është e rëndësishme që palët të dëshmojnë gatishmëri të qartë në mënyrë që të gjejnë një mundësi për zgjidhje përfundimtare”, theksoi Stoltenberg

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se mirëpresin qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), derisa ka theksuar se presin përparim të rezultatit në takimet e ardhshme mes palëve, raporton Anadolu.

Stoltenberg, i cili foli në selinë e NATO-s në konferencë për media pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se NATO-ja do të vazhdojë që të lehtësojë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse “mendojmë se kjo është rruga e vetme drejt zgjidhjes dhe stabilitetit në Kosovë”.

“Tani kemi një mundësi historike që mund të jetë me përfitim për gjithë rajonin. Kështu që, ne mirëpresim qasjen konstruktive. Është e rëndësishme që të gjitha palët tashmë të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Është e rëndësishme që palët të dëshmojnë gatishmëri të qartë në mënyrë që të gjejnë një mundësi për zgjidhje përfundimtare”, theksoi Stoltenberg.

Ai tha se çdo zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë parasysh respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, vlerat demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“NATO-ja është e pranishme në Kosovë, ne e marrim situatën atje shumë seriozisht dhe ne e mbështesim fort dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shtoi tutje shefi i NATO-s.

Deklaratat e Stoltenberg vijnë pas takimit të fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel më 27 shkurt ku u diskutua propozimi evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim, që palëve u është dorëzuar gjatë vitit 2022.

Kategoritë
BotaLajmeVendi