Stoltenberg vlerëson procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO

“Besoj se do të plotësohen protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës dhe se të gjithë anëtarët e NATO-s do të miratojnë në parlamentet e tyre protokollet e anëtarësimit. Kjo është e vlefshme edhe për Türkiye-n”, tha Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se beson që proceset e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO do të plotësohen edhe me miratimin e Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, mbajti një konferencë të përbashkët me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, pas ceremonisë për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me temë bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së.

Ndaj pyetjes për mendimin e tij lidhur me deklaratën e bërë nga Suedia se nuk do të mund të përmbushë të gjitha kërkesat e Türkiye-s, Stoltenberg tha se “Besoj se do të plotësohen protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës dhe se të gjithë anëtarët e NATO-s do të miratojnë në parlamentet e tyre protokollet e anëtarësimit. Kjo është e vlefshme edhe për Türkiye-n”.

Procesi i anëtarësimit të dy vendeve në NATO, është më i shpejti në historinë moderne të aleancës, theksoi Stoltenberg, duke rikujtuar se Suedia dhe Finlanda ranë dakord me Türkiye-n me memorandumin trepalësh që ata nënshkruan në Samitin e NATO-s në Madrid, për bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit dhe heqjen e kufizimeve për shitjen e armëve.

“Edhe këto po përmbushen. Formuan një mekanizëm të përhershëm ku kryhet më shumë shkëmbim informacioni dhe inteligjence dhe ku punojnë më ngushtë kundër kërcënimeve të terrorizmit. Türkiye, ka shqetësime legjitime të sigurisë. Asnjë aleat i NATO-s nuk është lënduar nga terrorizmi aq sa Türkiye. Për këtë arsye duhet të mirëpresim që aleatët e NATO-s, Suedia dhe Finlanda të punojnë më shumë për këtë çështje”, tha Stoltenberg.

Gjithashtu Stoltenberg theksoi se pavarësisht se Suedia dhe Finlanda nuk janë ende anëtare të NATO-s, ato ndodhen në një pikë shumë të ndryshme në krahasim me përpara se të aplikonin për anëtarësim.

Pasi rikujtoi se disa vende të NATO-s, përfshirë SHBA-në i kanë dhënë garanci sigurie Finlandës dhe Suedisë, dhe se NATO e ka rritur praninë e saj në rajon, Stoltenberg deklaroi se tashmë zyrtarët e të dy vendeve kanë marrë pjesë në takimet dhe aktivitetet e NATO-s në shumë nivele.

“Shoh rëndësinë e plotësimit të protokolleve të anëtarësimit me miratimet e parlamenteve në Türkiye dhe Hungari. Unë besoj se kjo do të ndodhë”, tha Stoltenberg.

Kategoritë
BotaLajme