Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd kanë bërë publik emrin e njërit prej pjesëmarrësve në sulmin e organizuar ndaj kolegëve të tyre, i cili më pas u pa në shoqërinë e Aleksandar Vuçiqit gjatë vizitës së tij zyrtare në Požarevac.
Ata publikuan një njoftim për opinionin publik në rrjetin Instagram, ku zbuluan identitetin e sulmuesit, duke theksuar se “drejtësia, në këtë rast, ende mungon”.
“Aleksandar Jokić është një nga pjesëmarrësit e identifikuar në sulmin e organizuar ndaj kolegëve tanë. Në këtë rast, drejtësia ende mungon,” u tha në fillim të njoftimit.
Në vazhdim, studentët theksuan se Jokić u pa dje gjatë vizitës ceremoniale në Qarkun e Branicevës, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Dje u pa në vizitën ceremoniale në Qarkun e Branicevës. Jo vetëm që nuk ka drejtësi, por sulmuesit po shpërblehen. Ne nuk kemi nevojë për këtë kujtesë, sepse nuk do ta harrojmë,” shtuan ata.
Në lidhje me këtë ngjarje, dje reagoi edhe dekanati i Fakultetit të Arteve Dramatike, i cili kërkoi përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe dënoi normalizimin e dhunës.
“Dekanati i Fakultetit të Arteve Dramatike shpreh dënimin më të ashpër ndaj normalizimit të vazhdueshëm të dhunës ndaj studentëve, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Aleksandar Jokić, i identifikuar si pjesëmarrës në sulmet e organizuara ndaj studentëve të FAD-it, shfaqet në publik në shoqërinë e presidentit të shtetit gjatë vizitës së tij në Požarevac,” shkruan në reagim.
Ata shtuan se, edhe pse prokuroria ka hedhur poshtë padinë penale ndaj Jokićit, nuk duhet të injorohet përgjegjësia morale.
“Edhe pse prokuroria hodhi poshtë padinë penale ndaj Jokićit dhe pala e dëmtuar paraqiti ankesë, ne besojmë se pavarësisht procedurave ligjore, strukturat qeveritare nuk duhet të injorojnë ekzistencën e përgjegjësisë morale, veçanërisht ndaj atyre që morën pjesë në grupime partiake të organizuara me qëllim të nxitjes së përplasjeve dhe dhunës ndaj studentëve dhe qytetarëve,” u theksua në deklaratë.
Ata gjithashtu kërkuan që partia, anëtar i së cilës është Jokić, të distancohet nga veprime të tilla dhe të mos i shpërblejë.
“Partia në pushtet, ku Jokić është anëtar, duhet të distancohet qartë nga veprime të tilla dhe të mos i shpërblejë apo legjitimojë,” shtuan ata.
Në fund, dekanati theksoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të normalizuar procesin mësimor dhe për të vazhduar vitin akademik, por theksuan se autoritetet ende nuk e kuptojnë se këto protesta janë një betejë për një shtet ligjor dhe përgjegjësi morale.
“Dekanati i FAD-it, së bashku me të gjithë stafin akademik, po bën përpjekje të mëdha për të normalizuar mësimin dhe për të vazhduar vitin akademik sa më shpejt që të jetë e mundur, duke mbështetur plotësisht kërkesat legjitime të studentëve. Megjithatë, përderisa qeveria nuk e kupton se këto protesta janë pjesë e një lufte për një shtet të së drejtës dhe përgjegjësi morale, nuk shohim mundësi për një zgjidhje. Kërkojmë një reagim të menjëhershëm dhe përgjigje konkrete nga institucionet përkatëse, sepse pandëshkueshmëria e dhunës dhe mbrojtja institucionale dhe morale e autorëve të saj janë të papranueshme në një shoqëri që synon drejtësinë dhe sundimin e ligjit,” përfunduan ata.
Kujtojmë se protestat studentore në Serbi nisën në fund të vitit 2024, pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad dhe aksidentit tragjik që pasoi.
Studentët kërkojnë që të gjitha informacionet lidhur me rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad të jenë të qasshme për publikun, si dhe që të gjithë përgjegjësit për këtë fatkeqësi të mbajnë përgjegjësi.