Organizatori i protestave pro-palestineze në Universitetin Columbia, Mohsen Mahdawi, u arrestua nga zyrtarët e imigracionit gjatë një interviste që ishte pjesë e procesit të tij për marrjen e shtetësisë amerikane, tha avokatja e tij.
Mahdawi, mbajtës i Green Card-it dhe student i kolegjit në Nju Jork që pritej të diplomohej muajin tjetër, u arrestua të hënën në Colchester, Vermont.
Sipas avokates së tij, Mahdawi u mor në paraburgim si “hakmarrje e drejtpërdrejtë” për rolin e tij në protestat kundër luftës midis Izraelit dhe Hamasit në kampus.
Edhe të tjerë që kanë marrë pjesë në protestat kundër luftës, përfshirë Mahmoud Khalila nga Columbia dhe Rumeysa Ozturk nga Universiteti Tufts, janë ndaluar nga autoritetet.
BBC ka kontaktuar Shërbimin e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) për më shumë informacion në lidhje me rastin e Mahdawit. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihet teksa dy policë e shoqërojnë në një makinë policie.
“Administrata e Trump-it e ka arrestuar Mohsen Mahdawin si hakmarrje për avokimin e tij në emër të palestinezëve dhe për identitetin e tij si palestinez. Arrestimi i tij është një përpjekje për të heshtur ata që flasin kundër krimeve në Gaza. Është gjithashtu antikushtetues,” deklaroi avokatja Luna Droubi.
Ajo ka paraqitur kërkesë në një gjykatë federale për një urdhër ndalimi të përkohshëm, për të parandaluar që autoritetet amerikane të imigracionit ta largojnë Mahdawin nga Vermonti ose ta dëbojnë nga SHBA.
Gjyqtari William Sessions, i emëruar nga Obama, e ka miratuar menjëherë këtë urdhër.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Mahdawi ka lindur në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor dhe është zhvendosur në SHBA në vitin 2014.
Ai përshkruhet si student i filozofisë dhe budist i përkushtuar që beson në “mosdhunë dhe empati si parime qendrore të fesë së tij”.
Vendndodhja e Mahdawit, i cili është banor i përhershëm në SHBA që nga viti 2015, nuk është e qartë, sipas zonjës Droubi.
Mahdawi, bashkëthemelues i Shoqatës së Studentëve Palestinezë në Columbia, ka qenë kritik i hapur i ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai dha një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS-it, ku akuzoi Izraelin për gjenocid.
Arrestimi i tij vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump po zbaton një fushatë të ashpër ndaj imigracionit.
Muajin e kaluar, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se të paktën 300 studentëve të huaj u janë anuluar vizat, në përpjekje për të luftuar antisemitizmin e pretenduar në kampuset universitare.
Kritikët thonë se autoritetet amerikane po i akuzojnë padrejtësisht studentët për armiqësi ndaj hebrenjve dhe po shkelin të drejtën e tyre për liri të shprehjes.
Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, shkroi në X se Mahdawi u “arrestua në mënyrë të paligjshme nga ICE gjatë asaj që duhej të ishte hapi i fundit në procesin e tij për shtetësinë amerikane”.
Ai kërkoi që Mahdawit t’i garantohet “proces i rregullt ligjor dhe të lirohet menjëherë nga paraburgimi”.
Gjyqtari Sessions gjithashtu mbajti një seancë të hënën për çështjen e Rumeysa Ozturk, një studente turke në Universitetin Tufts, e cila u arrestua muajin e kaluar nga autoritetet e imigracionit.
Ai ngriti pyetjen nëse administrata e Trump do të shkaktonte një “krizë kushtetuese” nëse nuk e liron studenten nga paraburgimi, në rast se gjykata urdhëron transferimin e saj nga një qendër paraburgimi në Louisiana për në Vermont.
Ndërkohë, avokatët e Mahmoud Khalil po kundërshtojnë vendimin e një gjykatësi të imigracionit që i lejon qeverisë deportimin e tij si “kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Khalil, udhëheqës i protestave në Universitetin Columbia, u ndalua muajin e kaluar para kampusit dhe u transferua në një qendër paraburgimi në Louisiana.