Studim: Konsumimi i kafes mund të ulë rrezikun nga zhvillimi i kancerit në kokë dhe qafë

Një analizë që kombinon të dhënat nga studime të shumta zbuloi se konsumimi i katër ose më shumë filxhanëve kafe me kafeinë çdo ditë lidhej me një reduktim prej 17 për qind të rrezikut të përgjithshëm të kancerit të kokës dhe qafës.

Sipas një studimi të ri, konsumatorët e rregullt të kafesë mund të përballen me një rrezik dukshëm më të ulët të zhvillimit të kancerit të kokës dhe qafës, raporton Anadolu.

Studiuesit nga Instituti i Kancerit Huntsman në SHBA analizuan të dhënat nga 9.548 pacientë me kancer dhe të dhënat nga 15.783 kontrolle shëndetësore.

Një analizë që kombinon të dhënat nga studime të shumta zbuloi se konsumimi i katër ose më shumë filxhanëve kafe me kafeinë çdo ditë lidhej me një reduktim prej 17 për qind të rrezikut të përgjithshëm të kancerit të kokës dhe qafës, njoftuan studiuesit në shkrimin e tyre në revistën të botuar në CANCER, një revistë e Shoqatës Amerikane të Kancerit.

Ata që pinë kafe treguan 30 për qind shanse më të ulëta të kancerit oral dhe 22 për qind shanse më të ulëta të kancerit të fytit në krahasim me ata që nuk pinë kafe. Edhe konsumimi i kafesë pa kafeinë lidhej me një ulje prej 25 për qind të rrezikut të kancerit oral.

Konsumimi i çajit tregoi rezultate të përziera.

Teksa pirja e një filxhani në ditë ose më pak shoqërohej me një rrezik të përgjithshëm 9 për qind më të ulët të kancerit të kokës dhe qafës, konsumimi i më shumë se një filxhan lidhet me një shans 38 për qind më të lartë të kancerit të laringut, zbuloi studimi.

“Zakonet e kafesë dhe çajit janë mjaft komplekse”, tha Yuan-Chin Amy Lee, njëra nga studiuesit në qendrën e hulumtimit, duke shtuar:

“Këto gjetje mbështesin nevojën për më shumë të dhëna dhe studime të mëtejshme rreth ndikimit që kafeja dhe çaji mund të kenë në reduktimin e rrezikut të kancerit”.

Hulumtimi fiton rëndësi pasi kanceri i kokës dhe qafës, i cili renditet si kanceri i shtatë më i zakonshëm globalisht, vazhdon të rritet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi