Hulumtimi i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Birminghamit ka arritur në përfundimin se të paktën 600 lloje shpendësh janë zhdukur për shkak të njerëzve në 130 mijë vitet e fundit.
Një hulumtim i ri në Britaninë e Madhe ka zbuluar se njerëzit kanë shkaktuar zhdukjen e afro 7 për qind të specieve të shpendëve në 130 mijë vitet e fundit.
I publikuar në “Science Daily”, në hulumtim shkencëtarët kanë studiuar ndikimin e faktorit njeri në zhdukjen e specieve të shpendëve.
Punimi i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Birminghamit ka arritur në përfundimin se të paktën 600 lloje shpendësh (rreth 7 për qind) janë zhdukur për shkak të njerëzve në 130 mijë vitet e fundit.
Në hulumtim shkencëtarët tërhoqën vëmendjen në efektet e zhdukjes së specieve të shpendëve në ekosistem dhe biodiversitet si dhe pasojat e tyre të mundshme.
“Numri i madh i specieve të zhdukura të shpendëve është sigurisht një pjesë e madhe e krizës së zhdukjes, por një pikë tjetër ku duhet të përqendrohemi është se çdo specie ka një punë ose funksion brenda mjedisit dhe për këtë arsye luan rol vërtet të rëndësishëm në ekosistem”, tha dr. Tom Matthews nga Universiteti i Birminghamit.
Ai tha se gjetjet kanë zbuluar se veprimet njerëzore kanë shkaktuar uljen e diversitetit të specieve të shpendëve. Sipas tij, duhet të hetohen efektet dhe pasojat për 1.000 lloje të shpendëve që pritet të zhduken plotësisht në 200 vitet e ardhshme.
Mattews tërhoqi vëmendjen se duhet të ekzaminohet mbrojtja e llojeve të shpendëve dhe shkaqeve të zhdukjes.