Suedi, protestë kundër masakrës me armë kimike të regjimit të Asadit në Gutën Lindore

“Jemi mbledhur këtu për të treguar që nuk i kemi harruar sirianët që humbën jetën në masakër. Jeta e sirianëve që nuk bashkëpunojnë me Asadin është ende në rrezik në Siri”, thuhet në deklaratë

Përpara Parlamentit të Suedisë në kryeqytetin Stockholm është protestuar kundër sulmit me armë kimike i ndërmarrë nga regjimi i Asadit më 21 gusht 2013 në rajonin e Gutës Lindore të Damaskut në Siri, ku u vranë mbi 1.400 civilë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e mbajtur nga Shoqata suedeze e Sirisë u mbajtën në duar pankarta me mbishkrimet: “Kërkoni llogari nga vrasësit”, “Asadi diktator”, “Nuk e harrojmë kurrë masakrën e Gutës”, “Prej 8 vitesh nuk është vendosur drejtësi”.

Në një deklaratë të bërë në emër të grupit u theksua se kanë kaluar 8 vite që nga masakra e parë me gaz në Gutën Lindore. “Jemi mbledhur këtu për të treguar që nuk i kemi harruar sirianët që humbën jetën në masakër. Jeta e sirianëve që nuk bashkëpunojnë me Asadin është ende në rrezik në Siri. Është e nevojshme që organizatat ndërkombëtare të kalojnë në veprim për të parandaluar që Asadi të ndërmarrë një sulm të ri kimik”, thuhet në deklaratë.

Masakra në Gutën Lindore

Regjimi i Asadit më 21 gusht 2013 vrau më shumë se 1.400 civilë duke përdorur armë kimike në Gutën Lindore, rajonin e kryeqytetit Damask.

Në këtë masakër e cila nuk është fshirë nga memoriet, u prekën nga gazi helmues mijëra civilë shumica e të cilëve fëmijë dhe gra.

Pas masakrës, edhe në vitin 2018 Guta Lindore u bë rajoni ku regjimi i Bashar al-Asadit zbatoi bllokadën më të rreptë dhe ku përdori pothuajse të gjitha armët.

Opozitarët në rajon si rezultat i marrëveshjes së detyruar që bënë me regjimin e Asadit dhe Rusinë, u detyruan që të evakuoheshin nga Guta Lindore në prill 2018.

Civilët të cilët dolën nga rrethimi 5 vjeçar po luftojnë për të mbijetuar në zonat të cilat aktualisht ndodhen nën kontrollin e opozitarëve në veri të vendit.

Sipas raportit të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, regjimi i Asadit pas fillimit të luftës së brendshme në Siri ka kryer 217 sulme me armë kimike ndaj vendbanimeve nën kontrollin e opozitarëve.

Kategoritë
BotaLajme