Suedia aplikon zyrtarisht për anëtarësim në NATO

Suedia ka nënshkruar të martën një kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO, një ditë pasi ka bërë të ditur se do të aplikojë në aleancën 30-anëtarëshe.

Në Finlandën fqinje, ligjvënësit pritet të marrin vendimin e njëjtë më vonë gjatë ditës.

Finlanda ka bërë të ditur të dielën se mëton t’i bashkohet aleancës, duke thënë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë – rreth tre muaj më parë – ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Ndonëse shumica e vendeve anëtare të NATO-s mirëpresin këto dy shtete në aleancë, Turqia mund të komplikojë këtë proces, pasi ka thënë se nuk mund t’i lejojë ato vende të bëhen anëtare sepse beson që kanë strehuar militantë kurdë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të hënën se rruga e këtyre dy vendeve në NATO nuk do të jetë e lehtë.

Që një vend të anëtarësohet në NATO, duhet të ekzistojë miratimi i 30 vendeve pjesëmarrëse.

Erdogan ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë se kanë refuzuar ekstradimin e “terroristëve” të kërkuar nga shteti i tij.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka zbutur qëndrimet ndaj planeve të Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

“Për aq kohë sa vazhdon zgjerimi, përfshirë anëtaret e reja, Finlandën dhe Suedinë, Rusia nuk ka probleme me këto shtete – asnjë. Prandaj nuk ka kërcënim për Rusinë nga zgjerimi që përfshin këto shtete”, ka thënë Putin.

Këto komente përbëjnë ndryshim të madh të retorikës së tij, pas disa viteve që Putin e ka konsideruar zgjerimin e NATO-s si kërcënim për sigurinë e Rusisë.

Ai madje ka përdorur mundësinë e zgjerimit si arsyetim për pushtim të Ukrainës më 24 shkurt.

Putin ka thënë se zgjerimi i NATO-s po shfrytëzohet nga Shtetet e Bashkuara në mënyrë “agresive” për të përshkallëzuar situatën edhe ashtu të vështirë të sigurisë globale, dhe se Rusia do të përgjigjet nëse aleanca afron armët apo trupat më tutje.

“Zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këtë territor do të provokonte përgjigjen tonë”, ka thënë Putin.

Moska e quan luftën e saj në Ukrainë si “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të këtij shteti dhe për luftim të fashistëve, pretendim që Kievi dhe Perëndimi e shohin të pabazë.

Kategoritë
BotaLajme