“Suedia dëshiron të vazhdojë dialogun bilateral dhe bashkëpunimin me Kosovën”

Ministri i Jashtëm suedez, Billstrom tha se Suedia mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen e arritur së fundi midis dy vendeve në Bruksel dhe në Ohër

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, raporton Anadolu.

Ministrja kosovare Donika Gërvalla në konferencë pas takimit me homologun e saj suedez Billstrom, tha se bashkë kanë diskutuar për një sërë çështjesh përfshirë bashkëpunimin midis dy shteteve, mërgatën kosovare në Suedi, integrimin evropian të Kosovës.

“Suedia ka qëndruar vazhdimisht në krah të Kosovës si para fillimit të luftës ashtu edhe gjatë luftës por sidomos pas përfundimit të luftës në rindërtimin e Kosovës, në njohjen e pavarësisë dhe në ndihmë të shtetit të Republikës së Kosovës Suedia ka qenë gjithmonë prezente”, theksoi Gërvalla.

Ajo tha se Kosova e cila tashmë ka aplikuar në Këshillin e Evropës “është optimiste për një proces fer ndaj Kosovës” ndërsa shtoi se Kosova është e gatshme të përmbushë të gjitha kushtet dhe është e gatshme për një anëtarësim meritorë.

Tutje, Gërvalla falënderoi edhe Presidencën e Suedisë të Bashkimit Evropian për mbështetjen e dhënë në procesin e liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom tha se Suedia dëshiron të vazhdojë dialogun bilateral dhe bashkëpunimin me Kosovën.

Billstrom tha se Prishtina është vendi i gjashtë ku ai ndalet pas vizitave në kuadër të Ballkanit Perëndimor duke thënë se ambicia e Presidencës Suedeze të BE-së është “që t’i mbajmë gjashtë vendet e Ballkanit në agjendën evropiane”.

Ministri Billstrom tha se Suedia mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen e arritur së fundi midis dy vendeve në Bruksel dhe në Ohër.

“Marrëveshja pasi të implementohet do ta lehtësojë situatën në veri të Kosovës dhe duhet të çojë po ashtu edhe në relaksim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe gjithë rajonit”, theksoi Billstrom duke nënvizuar se “është e rëndësishme të shfrytëzohet ky moment”.

Billstrom do të pritet në takime të ndara sot edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Kategoritë
BotaLajme