Suedia formalisht do të aplikojë për anëtarësim në NATO

“Anëtarësimi në NATO është mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e Suedisë”, thuhet në deklaratë

Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, njoftoi se vendi ka vendosur të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të informojmë NATO-n se duam t’i bashkohemi aleancës”, tha kryeministrja Andersson në një konferencë për media në kryeqytetin suedez Stokholm.

Një deklaratën zyrtare thuhet se “anëtarësimi në NATO është mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e Suedisë në kohën e mjedisit të sigurisë të ndryshuar rrënjësisht” pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt.

Zgjedhja politike ishte gjithashtu objekt i një debati të veçantë në Riksdag, parlamenti i vendit dhe vendimi u mbështet nga një shumicë e gjerë.

Vendimi vjen një ditë pasi Finlanda gjithashtu njoftoi gatishmërinë e saj për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake, duke braktisur praktikën disa-dekadëshe të mos-angazhimit ushtarak. Anëtarësimi duhet të miratohet nga të gjitha 30 anëtarët e aleancës.

Kategoritë
BotaLajme