Suedia: Mund të eksportojmë armë në Turqi

Vazhdojnë negociatat Suedi-Turqi në lidhje me kërkesën e Stokholmit për anëtarësim në NATO.

Kryetari i Zyrës Shtetërore Suedeze për Kontrollin e Eksportit të Armëve (ISP), Karl Evertsson në një reportazh për gazetën “Expressen” ka folur për negociatat me Turqinë lidhur me aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Evertsson ka argumentuar se eksportin e armëve ata e bëjnë në kushtet e kërkuara nga komisioni suedez i mbrojtjes.

“Aktualisht Turqia nuk ka nevojë për armët tona. Ata nuk blejnë armatim nga ne. Kërkesat që vijnë nga komisioni i mbrojtjes vlerësohen sipas situatës. Në kushtet aktuale ne mund t’i shesim armë Turqisë”,- i tha zyrtari gazetës “Expressen”.

Kur u pyet se si kishin arritur armët antitank të prodhimit suedez tip “AT-4” të binin në duart e organizatës terroriste separatiste PKK, Evertsson u përgjigj kështu: “Ne nuk i eksportojmë këto armë tek organizatat e grupet kriminale. Kjo mund të ketë ndodhur ngaqë prodhimi i armëve në fjalë bëhet sipas licencës që ne kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe ngaqë nuk i kemi kushtuar vëmendje kushtit për të mos lejuar dërgimin e këtyre armëve drejt vendeve të treta”.

Më 15 tetor 2019 Zyra Shtetërore Suedeze për Kontrollin e Eksportit të Armëve (ISP) ndaloi shitjet e armëve në Turqi.

Sipas radios shtetërore suedeze (SR), pas kësaj date 3 prodhues armësh me seli në Suedi nuk kishin aprovuar kërkesën për t’i shitur armë Turqisë.

Kategoritë
BotaLajme