Suedia në zi për viktimat e sulmit në Orebro, rritet në 11 numri i të vrarëve

Autoritetet besojnë se autori ka vepruar i vetëm, por ende nuk dihen motivet e sulmit.

Një ceremoni përkujtimore u mbajt në Orebro për të nderuar viktimat e sulmit të djeshëm, teksa shumë njerëz u mblodhën në kampus duke vendosur qirinj dhe lule.

Numri i të vdekurve nga të shtënat në një shkollë për të rritur në pjesën qendrore të Suedisë është rritur në 11, ndërsa autori besohet të jetë në mesin e të vrarëve, njoftoi policia.

Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar numrin e të plagosurve, ndërsa sipas mediave lokale, policia paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.

“Ne nuk kemi një pasqyrë të plotë për momentin në lidhje me numrin e të plagosurve”, tha zëdhënësi i policisë, Fredrik Svedemyr, duke shtuar se nuk dihet as niveli i lëndimeve për ata që trajtohen në spital dhe se ekziston rreziku që numri i viktimave të rritet.

Të shtënat ndodhën dje rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, ku në shënjestër ishte qendra e arsimit të të rriturve që ndodhet në një kampus me shkolla të tjera në Campus Risbergska në Orebro, një qytet 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.

Autoritetet besojnë se autori është në mesin e të vdekurve dhe se nuk presin sulme të mëtejshme.

Policia shtoi se autori ka vepruar i vetëm, por ende nuk dihen motivet e sulmit.

Kategoritë
BotaLajme