Suedia po sakrifikon rrugën e anëtarësimit në NATO me Finlandën “për hir të ekstremistëve”

Indiferenca ndaj provokimeve anti-turke të organizuara nga organizatat terroriste në Suedi dhe ndaj djegies së Kuranit, e ka bërë të diskutueshme atë se sa ka arritur ky vend të përmbushë zotimet e tij

dhe pse Finlanda dhe Suedia – për shkak të rrezikut të luftës dhe shqetësimeve të sigurisë në kufijtë e tyre – deshën të aplikojnë për hyrje në NATO së bashku dhe të ecin së bashku në rrugën e anëtarësimit, Suedia po sakrifikon aspiratat e saj të anëtarësimit për hir të ekstremistëve, duke mbetur spektatore dhe indiferente ndaj provokimeve kundër Türkiye-s dhe krimeve të urrejtjes.

Korrespondenti i Anadolu Agency (AA) ka përpiluar ngjarjet që kur Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO më 18 maj 2022 dhe situatën më të fundit në lidhje me mekanizmin trepalësh midis Türkiye-s, Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO, të dakorduar në qershor të vitit 2022.

Finlanda dhe Suedia, të cilët vendosën të përfshihen në ombrellën e sigurisë së NATO-s për të shmangur një invazion të ngjashëm me Ukrainën për shkak të luftës midis që Rusia e filloi më 24 shkurt 2022, morën vendim t’i bëjnë hapat së bashku në këtë drejtim dhe parashtruan kërkesën e tyre për anëtarësim bashkërisht në Bruksel.

Megjithatë, Türkiye e kundërshtoi anëtarësimin në NATO për shkak të mbështetjes së dhënë organizatave terroriste PKK/YPG/PYD dhe FETO në këto vende. Ankaraja deklaroi se do të dëshironte të shihte hapa konkretë dhe të përhershëm për çështje si parandalimi i aktiviteteve të organizatave terroriste që kërcënojnë qytetarët turq dhe sigurinë e Türkiye-s, ekstradimi i personave të kërkuar ose të dënuar për terrorizëm dhe heqja e kufizimeve në eksportin e produkteve të industrisë së mbrojtjes.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se këto dy vende, veçanërisht Suedia, mbështesin drejtpërdrejt organizatën terroriste PKK, të cilën Türkiye e lufton prej vitesh, u japin azil politik anëtarëve të saj dhe i ofrojnë ndihmë financiare. Erdoğan ka theksuar se këto qëndrime duhet të ndryshojnë në mënyrë që të fitohet miratimi i Türkiye-s.

Në këtë kontekst, me angazhimin e dy vendeve për t’iu përgjigjur pozitivisht pritshmërive të Ankarasë, Türkiye, Finlanda dhe Suedia nënshkruan një Memorandum Trepalësh në Samitin e NATO-s në Madrid më 28 qershor 2022 dhe në këtë kuadër u krijua një Mekanizëm i Përhershëm i Përbashkët.

Mirëpo, në këtë periudhë, indiferenca ndaj provokimeve anti-turke të organizuara nga organizatat terroriste në Suedi dhe ndaj djegies së Kuranit, e ka bërë të diskutueshme atë se sa ka arritur ky vend të përmbushë zotimet e tij.

Edhe pse pas provokimeve të fundit në vend, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se “provokatorët u përpoqën të pengonin anëtarësimin e Suedisë”, procesi i anëtarësimit të vendit në NATO, i cili toleroi krimet e urrejtjes në emër të lirisë së shprehjes, u dëmtua.

Më 29 janar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha: “Ne mund të japim një mesazh të ndryshëm për Finlandën nëse është e nevojshme. Suedia do të tronditet kur të japim një mesazh tjetër për Finlandën. Por Finlanda nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim”. Ky mesazh i presidentit turk drejtuar dy vendeve, gjithashtu shtroi pyetjen nëse këto dy vende, të cilat u nisën së bashku në rrugën e NATO-s, do të vazhdojnë të ndara.

Mosmarrëveshja e parë, rreth të arratisurit të FETO-s Keneş

Pas memorandumit trepalësh të nënshkruar në Madrid në qershor 2022, procesi i anëtarësimit të dy vendeve skandinave pritej të përparonte me shpejtësi, por refuzimi i autoriteteve gjyqësore suedeze për të lejuar ekstradimin e të arratisurit të organizatës terroriste FETO Bülent Keneş më 19 dhjetor 2022, ngadalësoi vrullin e negociatave.

Lidhur me këtë zhvillim, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu më 22 dhjetor 2022 kishte deklaruar:

“Ky është një zhvillim shumë negativ. Është pritshmëria jonë më e natyrshme që të ndërmerren hapa shtesë në përputhje me marrëveshjen trepalëshe në lidhje me deportimin e personave me lidhje terroriste. Janë gjithashtu detyrime të Suedisë dhe Finlandës që burojnë nga marrëveshja. Suedia vazhdon të jetë qendër tërheqëse për anëtarët e FETO-s, në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes trepalëshe. Ata vazhdojnë ta shohin Suedinë si një vend tërheqës me mirëkuptimin se ‘Nëse shkojmë atje, nuk do të ekstradohemi, kështu që mund të jetojmë rehat dhe nuk do të mbajmë përgjegjësi për krimet që kemi kryer’”.

Ndërkaq, më 15 janar, në lidhje me situatën ishte shprehur:

“Gjyqësori i tyre refuzoi deportimin e Bülent Keneş-it tek ne. Ne shpesh shohim demonstrata të PKK-së në rrugët e tyre dhe i paralajmërojmë ata. Por pavarësisht nga të gjitha këto paralajmërime, fatkeqësisht, as që është bërë fjalë për ndaljen e këtyre demonstratave të PKK-së dhe PYD-së”.

Fyerja ndaj Türkiye-s dhe presidentit Erdoğan

Provokimi që ndërpreu procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe ndodhi së fundmi ishte kur një grup mbështetësish të organizatës terroriste PKK/YPG u mblodhën para bashkisë historike të Stockholmit dhe publikuan pamje në rrjetet sociale duke varur nga këmbët një kukull që përngjasuan me presidentin Erdoğan në një shtyllë përballë ndërtesës.

Si përgjigje ndaj këtyre provokimeve në Stockholm, ndaj të cilit reaguan ashpër qeveria dhe opozita në Türkiye, kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Mustafa Şentop, anuloi vizitën zyrtare të kryetarit të parlamentit suedez Andreas Norlen, e cila ishte planifikuar të realizohej në Türkiye më 17 janar.

Sulmet ndaj Kuranit të Shenjtë

Incidenti i fundit në Suedi, vend i cili ka ruajtur qasjen e saj optimiste ndaj procesit të anëtarësimit, por nuk u thotë “stop” mbështetësve të terroristëve dhe akteve provokuese brenda vendit, ishte djegia e Kuranit të Shenjtë.

Rasmus Paludan, politikan danezo-suedez dhe lider i partisë së ekstremit të djathtë “Stram Kurs” (Linja e ashpër), dogji Kuranin para Ambasadës së Türkiye-s në Stockholm më 21 janar.

Türkiye dha mesazhe të forta dhe të qarta kundër këtij akti në Suedi, ndaj të cilit u organizuan protesta në vende të shumta.

“Është e qartë se ata që mundësuan një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë nuk mund të presin më asnjë të mirë nga ne në lidhje me aplikimin e tyre për anëtarësim në NATO”, deklaroi presidenti Erdoğan më 23 janar.

Paludan vazhdoi provokimin e tij në Danimarkë më 27 janar dhe dogji një kopje të Kuranit para një xhamie dhe më pas edhe para ambasadës turke në Kopenhagë.

Ndërsa autoritetet suedeze argumentuan se nuk e kishin miratuar një akt të tillë, por që vendi garanton lirinë e shprehjes, Türkiye vazhdoi të theksojë se një fyerje e tillë ndaj një shenjtërie nuk është krim vetëm kundër muslimanëve, por është një krim urrejtjeje.

Rezultat i provokimeve ishte shtyrja e takimit të mekanizmit trepalësh në lidhje me anëtarësimin në NATO.

Ndërkaq, policia finlandeze, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me këtë temë, tha se djegia e librave të shenjtë si Kurani në vende publike nuk do të lejohet në Finlandë dhe se kjo do të konsiderohej “krim i dënueshëm”.

Opsioni i anëtarësimit pa Suedinë

Ndryshe nga ndodhitë në Suedi, në Finlandë ka mbizotëruar atmosferë më e qetë. Është vënë re se Finlanda ka ndërmarrë hapa pozitivë ndaj Türkiye-s dhe nuk është ndikuar nga kjo atmosferë negative.

Më 24 janar, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha për transmetuesin publik YLE se Finlanda duhet të mendojë për anëtarësimin në NATO pa Suedinë.

I pyetur nëse Finlanda duhet të përparojë me të njëjtin ritëm me Suedinë në procesin e anëtarësimit në NATO, Haavisto tha: “Helsinki duhet ta rishqyrtojë këtë strategji nëse është e nevojshme. Sigurisht, nga pikëpamja e sigurisë së të dy vendeve, ky është padyshim opsioni numër një”.

Pas një deklarate të presidentit Erdoğan më 29 janar se Finlandës mund t’i jepet një mesazh tjetër, autoritetet suedeze heshtën, ndërsa Haavisto këtë herë deklaroi se Suedia është aleati i tyre më i afërt në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme dhe se duan të anëtarësohen në NATO së bashku me Suedinë.

Suedia dhe Finlanda nuk kanë marrë ende miratimin nga Hungaria dhe Türkiye për anëtarësimin në NATO, për të cilin kërkohet ratifikimi nga të gjitha 30 vendet anëtare.

Kategoritë
BotaLajme