Suksesi i pabesueshëm i shkencëtarëve: I paralizuar prej 10 vitesh, 40-vjeçari ecën sërish me ndihmën e një “ure dixhitale”

Një burrë i paralizuar në një aksident me biçikletë para një dekade, ka rifituar aftësinë për të qëndruar në këmbë dhe për të ecur duke përdorur teknologjinë e re të trurit.

Neuroshkencëtarët në Ecole Polytechnique Federale de Lausanne (EPFL) në Zvicër kanë krijuar një pajusje, e cila është në gjendje të rivendosë lidhjen e humbur midis trurit dhe palcës kurrizore.

Pajisja, e cilësuar si “urë digjitale” lejon Gert-Jan Oskam të rimarrë kontrollin mbi lëvizjen e këmbëve të tij, duke i mundësuar atij të qëndrojë në këmbë, të ecë dhe madje të ngjisë shkallët.

Ekipi tha se teknologjia e tyre gjithashtu i mundësoi Oskamit të rikuperonte disa nga funksionet e trurit që kishte humbur nga aksidenti i tij. Ai ishte në gjendje të tregonte aftësi motorike kur ura dixhitale ishte e fikur.

Sipas studiuesve, ky riparim dixhital i palcës kurrizore sugjeron se janë zhvilluar lidhje të reja nervore. Inxhinieri 40-vjeçar nga Holanda, jetonte dhe punonte në Kinë kur pësoi një aksident me biçikletë në vitin 2011.

Oskam iu nënshtrua dy operacioneve për të implantuar elektroda në tru dhe në palcën kurrizore. Teknologjia përdor inteligjencën artificiale për të kthyer mendimet e lëvizjes në veprime, duke vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë midis trurit dhe rajoneve të palcës kurrizore të përfshira në ecje.

Ekipi tha se gjetjet e tyre, të publikuara në revistën Nature, krijojnë një kornizë ku kontrolli natyror i lëvizjes mund të rikthehet pas paralizës.

Oskam tha se ai është në gjendje të ecë të paktën 100 metra ose më shumë, në varësi të ditës. Ai është gjithashtu në gjendje të ecë me paterica, kur implanti fiket, duke rritur shpresën se teknologji të tilla mund të rivendosin funksionin e humbur nervor.

Vitin e kaluar, studiuesit në EPFL bënë një ‘përparim klinik’ kur identifikuan një grup qelizash nervore që i ndihmon pacientët me paralizë të ngrihen në këmbë dhe të ecin përsëri.

Kategoritë
BotaLajme