Sulm ndaj 2 grave myslimane në një qendër tregtare në Australi

Një grua agresore u arrestua pasi sulmoi dy gra myslimane, duke përfshirë një grua shtatzënë, dhe tentoi t’i mbyte me shamitë e tyre në qytetin e Melburnit.

Në Australi ndodhi një sulm racist i neveritshëm kundër myslimanëve.

Ngjarja ndodhi në një qendër tregtare në Melburn, në shtetin e Viktorias, ku një grua shtatzënë 30-vjeçare dhe një tjetër grua myslimane 26-vjeçare u sulmuan.

Agresorja, e cila është identifikuar si grua, iu afrua nga pas gruas shtatzënë, e kapi prej shamisë dhe tentoi ta mbyte. Rreth 10 minuta më vonë, ajo shtyu dhe goditi me shuplakë një tjetër grua.

U ARRESTUA

Policia e Viktorias bëri të ditur se agresorja u arrestua sot dhe akuzohet për “sulm dhe dëmtim të qëllimshëm”.

Kryeministri australian Anthony Albanese, në një deklaratë për gazetarët, e cilësoi sulmin si “të dënueshëm”.

“E MARR SERIOZISHT ÇDO SULM TË BAZUAR TEK BESIMI”

Albanese hodhi poshtë kritikat se qeveria e tij nuk i trajton me seriozitet sulmet islamofobike krahasuar me ato antisemitike.

“E marr seriozisht çdo sulm kundër njerëzve për shkak të besimeve të tyre dhe të gjitha këto raste duhet të përballen me fuqinë e plotë të ligjit,” u shpreh ai.

Përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë australiane për luftën kundër islamofobisë, Aftab Malik, në një deklaratë për ABC News tha se “duhet t’i jepet fund çdo forme urrejtjeje” dhe u bëri thirrje liderëve të dënojnë këtë sulm të ndodhur në Melburn.

“REAKSIONI NDAJ SULMEVE KUNDËR MYSLIMANËVE ËSHTË I PAMJAFTUESHËM”

Kryetari i Federatës së Këshillave Islame të Australisë, Rateb Jneid, më 17 shkurt shprehu shqetësimin për sulmet ndaj myslimanëve në vend dhe e cilësoi reagimin e qeverisë si “jashtëzakonisht të pamjaftueshëm”.

Në Australi, më 7 shkurt hyri në fuqi një ligj i ri që parashikon dënime me burg nga 1 deri në 6 vjet për krimet e urrejtjes dhe terrorizmit.

Ky ligj, i cilësuar si “më i ashpri” kundër krimeve të urrejtjes në historinë e Australisë, parashikon dënime deri në 12 muaj burg për veprime si përshëndetja naziste dhe deri në 6 vjet për krime urrejtjeje të lidhura me terrorizmin.

Kategoritë
BotaLajme