“Çdo gjë që përfaqëson mënyrën e jetesës palestineze ose shumë ndërtesa, infrastruktura dhe madje shumë zona natyrore që ishin të rëndësishme për ruajtjen e identitetit palestinez janë shkatërruar”
Derisa sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 kanë shkaktuar shkatërrim në strukturat kulturore të rajonit, ekspertët tërheqin vëmendjen për përmasat e kësaj, raporton Anadolu.
Në lajmin e gjashtë dosier të Agjencisë Anadolu (AA) me titull “Sulmi gjenocidal i Izraelit në Gaza” diskutohet mbi shkatërrimin e aseteve kulturore të shkaktuara nga sulmet izraelite.
Georgia Andreou, lektore nga Universiteti Southampton në Britani të Madhe dhe e cila ka punuar në Projektin e Arkeologjisë Detare të Gazës (GAZAMAP) në vitet 2022-2023 si dhe Anne Irfan, lektore në University College London (UCL) janë prononcuar për gazetarin e AA-së lidhur me shkatërrimin e aseteve kulturore dhe të trashëgimisë kulturore në Gaza.
Andreou tha se ka pamje vizuale, përfshirë imazhet satelitore që tregojnë se shkatërrimi në Gaza është jashtëzakonisht i madh. “Shkatërrimi në Gaza përshkruhet si i paprecedentë. Për këtë arsye nuk është e mundur të matet se sa është shkatërruar infrastruktura. Por, nga organizatat ka referenca se rreth tre e katërta e infrastrukturës dhe banesave janë shkatërruar”, shtoi ajo.
“Shkalla e shkatërrimit në Gaza nuk është përjetuar as në rajonet ku lufta ka vazhduar për shumë vite si Afganistani, Iraku dhe Siria. Ky është në një nivel të pakrahasueshëm me të tjerët”, tha Andreou.
“(Krahasuar me rajonet e tjera), Gaza gjithashtu është një vend shumë më i vogël dhe popullsia e saj është shumë më e dendur. Pra, ekziston mundësia që të ketë vende arkeologjike në çdo zonë nëntokësore, përreth dhe nën çdo ndërtesë të shembur”, theksoi Andreou.
Pasi rikujtoi se nga raportuesit e OKB-së ka raporte që tregojnë se infrastruktura në Gaza është shkatërruar qëllimisht, Andreou shtoi se shkatërrimi i infrastrukturës mund të konsiderohet “gjenocid” dhe se ka organizata që e përcaktojnë atë si të tillë.
Lidhur me shkatërrimin në Gaza, Andreou tha se “Disa njerëz kanë përdorur gjithashtu termin ‘gjenocid kulturor’, veçanërisht në kontekstin e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Sepse kjo përfshin shkatërrimin e të gjitha dëshmive të ekzistencës së një grupi të caktuar njerëzish në një zonë të caktuar”.
“Çdo gjë që përfaqëson mënyrën e jetesës palestineze ose shumë ndërtesa, infrastruktura dhe madje shumë zona natyrore që ishin të rëndësishme për ruajtjen e identitetit palestinez janë shkatërruar. Kjo është arsyeja pse ai quhet ‘gjenocid kulturor’. Ky term në të njëjtën kohë është përdorur edhe në aspektin e luftës në Ukrainë”, potencoi ajo.
– “UNESCO ka konfirmuar shkatërrimin e 69 objekteve të trashëgimisë kulturore”
Irfan gjithashtu theksoi se shkalla e shkatërrimit të pasurive kulturore në Gaza është në nivel të tmerrshëm.
“Pavarësisht se shkalla e shkatërrimit të pasurive kulturore në Palestinë ka arritur nivele shumë të larta, ky nuk është një fenomen i ri. Baza e këtyre ngjarjeve është ‘ngjarja Nakba’ e vitit 1948 që shkaktoi që mijëra palestinezëve të mbeten pa atdhe duke iu nënshtruar migrimit të detyruar dhe se kjo shtrihet deri në themelimin e Izraelit”, tha ajo.
“Shënjestrimi dhe shkatërrimi i qëllimshëm i jetës kulturore palestineze dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore si dhe i aseteve në fushën e kulturës, shkencës dhe arsimit ka qenë gjithmonë një pjesë e qëllimshme e strategjisë koloniale e kolonëve izraelitë”, nënvizoi Irfan.
Duke prekur vështirësinë e marrjes së të dhënave për zonën kulturore që kanë mbijetuar në Gaza në 15 muajt e fundit, Irfan tërhoqi vëmendjen për mundësinë që të dhënat e publikuara nga organizatat të jenë më të larta.
“Deri më tani ne e dimë se të paktën 17 biblioteka dhe arkiva janë shkatërruar. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka konfirmuar se 69 objekte të trashëgimisë kulturore janë shkatërruar. Megjithatë kur shikojmë nga një pikëpamje më e gjerë, ne e dimë se janë shkatërruar të paktën 200 vende historike”, tha Irfan.