“Sulmet të dirigjuara nga Beogradi dhe sulme kibernetike”, Sveçla jep detaje për atë që ndodhi dje e sot në veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë larguar të gjitha barrikadat që ishin vendosur në veri nga grupet serbe. Ai në një status të gjatë në facebook ka treguar se disa grupe kanë shtënë me armë ndaj policëve të Kosovës dje dhe sot. Ai shton se këto grupe ishin të dirigjuara nga Beogradi.

Svecla bën të ditur se tani janë hapur dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata.  Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët. Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.”, shkruan ai.

“Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon”, shton Svecla.

Ministri po ashtu jep detaje për sulmet mbi qytetarët shqiptarë në pjesën veriore dhe për sulmet kibernetike me të cilat u ballafaquan faqet zyrtare të qeverisë dhe institucioneve të Repulikës së Kosovës.

“Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska”

“Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm.”, shton ai.

Kategoritë
Lajme