Sulmi me armë zjarri në diskotekën “Venom”, shkrepen 30 plumba në drejtim të objektit

Diskoteka “Venom”, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj mbrëmë ishte cak i një sulmi me armë zjarri. Dhjetëra plumba u shkrepën në drejtim të objektit, por fatmirësisht s’pati persona të lënduar, përveç dëmeve materiale. Sinjali ka mësuar detaje të reja për këtë rast, për të cilin Prokuroria tashmë ka nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes rezultoi se u gjuajtën 30 plumba nga dy të dyshuar që po lëviznin me një motoçikletë.

Gjithë ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të punës së diskotekës, rast ky për të cilin përveç pronarit, ka dëshmuar edhe punëtori i sigurimit që ndodhej në objekt, i cili ka deklaruar në Polici se vetëm i ka dëgjuar të shtënat.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.

“Mbrëmë rreth orës 23:25, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në drejtim të një objekti, në rrugën magjistrale Ferizaj – Prishtinë, respektivisht në fshatin Llapnasellë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore. Nuk është raportuar për persona të lënduar përveç dëmeve materiale. Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim identifikimin e personave të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”.

Kategoritë
LajmeVendi